Vetëm 48 orë, pas bërjes publike të një përgjimi të pretenduar të Agron Xhafajt, Kryeministri Edi Rama deklaroi se audio-përgjimi i vëllait të Ministrit të tij të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është ekspertuar nga një studio prestigjoze dhe është vërtetuar që është e sajuar.
Kështu më 16 maj, në orën 11:14, saktësisht 48 orë pas publikimit të audio-përgjimit nga PD, Kryeministri Rama deklaroi:
“Kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore nga një prej laboratorëve më të mirë në botë. Ajo provë më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi përpara një prove kompromentuese ndaj ministrit. Jemi përpara një materiali jo autotenik që synon destabilizimin”.
Deklarata e tij është e rëndë pasi Kryeministri Rama ka dhënë konkluzione publike në emër të prokurorisë dhe ka mbrojtur publikisht një person ende nën verifikim apo nën hetim. Kjo gjë në vetvete ngre dyshime serioze mbi pavarësinë, ndershmërinë dhe zbatimin e ligjit në këtë hetim.
Nga ana tjetër, deklarata e Kryeministrit ngre një tjetër pyetje: a tha Kryeministri një fakt apo gënjeu duke bërë bllof? Me fjalë të tjera a ka patur vërtet një ekspertim të audio-regjistrimit nga një laborator anglez?
Gjasat janë minimale që kjo të ketë ndodhur, dhe akoma më të vogla që kjo të ketë ndodhur në mënyrë zyrtare. Nëse shikohet kronologjia dhe koha që ka rrjedhur është e pamundur që Prokuroria të ketë zbatuar të gjitha standardet ligjore dhe profesionale për të kryer një ekspertim të tillë.
Më poshtë është kronologjia e ngjarjeve.
14 Maj 2018:
Në 11:30, Partia Demokratike transmeton nga selia e saj një audio regjistrim të pretenduar.
15 Maj 2018
Në mëngjes, përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u paraqitën në zyrat e Partisë Demokratike dhe morën video-registrimin.
Praktikisht kryeministri ka pretenduar që brenda 48 orësh, nga të cilat vetëm 16 janë orë zyrtare pune të kenë ndodhur këto veprime:
– Prokuroria vendos të fillojë verifikimet;
– Prokuroria ka caktuar një prokur për çështjen;
– Prokurori ka caktuar një oficer të policisë gjyqësore;
– Prokurori ka bërë një plan paraprak hetimi;
– Prokurorët kanë marrë video-regjistrimin;
– Prokurorët kanë hartuar dhe kanë bërë një kërkesë zyrtare në Britani, pranë homologëve të tyre, për të çuar një ekspertim audio;
– Britanikët e kanë shqyrtuar kërkesën, kanë vendosur ta pranojnë dhe i kanë dërguar përgjigje pozitive Tiranës;
—Prokurorët shqiptarë i kanë dërguar thirrje në prokurori Agron Xhafajt;
– Agron Xhafaj ka udhëtuar nga Vlora dhe është paraqitur në prokurori;
– Agron Xhafaj është marrë paraprakisht në pyetje nga prokurorët;
– Laboratori i Prokurorisë ka marrë një regjistrim të zërit të Agron Xhafajt në përputhje me standardet ligjore;
– Video-regjistrimi dhe regjistrimi i zërit të Xhafajt u janë dërguar homologëve britanikë në origjinal me postë apo korier (pra, fizikisht dhe jo elektronikisht)
– Britanikët kanë bërë ekspertimin e videos dhe krahasimin e zërit;
– Britanikët kanë hartuar raportin zyrtar të ekspertimit;
– Britanikët e kanë dërguar zyrtarisht në Tiranë aktin e ekspertimit;
– Prokuroria shqiptare e ka marrë ekspertimin e dërguar;
– Prokuroria ka patur kohë për të informuar Kryeministrin (nuk dihet se pse) për konkluzionet e ekspertimit;
– Kryeministri Rama ka dalë në konferencë publike dhe ka bërë të ditur konkluzionet e ekspertimit.
Është e vështirë që të gjitha më sipër të kenë ndodhur në kaq pak kohë, ndërsa është e pamundur që këto të kenë respektuar të gjitha procedurat zyrtare të hetimit nga ana e prokurorisë.