Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka bllokuar gazetaren britanike Alice Elizabeth Taylor në rrjetin social Twitter. Alice Taylor është kontribuese e rregullt në Exit.al dhe ka blogun e saj “The Balkanista”.
Bllokimi i Taylor-it në Twitterin e kryebashkiakut nuk është diçka e zakonshme, pasi kryebashkiaku është një nëpunës civil i zgjedhur dhe i paguar nga taksapaguesit, i cili ka një sërë llogarish në rrjetet sociale që menaxhohen nga një grup nëpunësish, sërish të paguar nga taksapaguesit. Ndaj Kryebashkiaku Veliaj ka përgjegjësinë për të pranuar pyetje nga publiku, kritika dhe komente nga qyteterët dhe gazetarët. Bllokimi i një gazetari në media sociale mund të konsiderohet si sulm ndaj lirisë së medias dhe përpjekje për të censuruar kritikat. Por kjo nuk është diçka e re për Veliajn.
Gazetarja në fjalë, Alice Taylor ka shkruar disa artikuj rreth Veliajt gjatë disa muajve të fundit – duke e ballafaquar atë me çështje të ndryshme. Në prill të këtij viti, ajo raportoi se si truproja e Veliajt dhe policia nuk lejuan një qytetar (i cili gjithashtu ishte gazetar në profesion, por në atë moment nuk ishte në detyrë) ta filmonte atë gjatë një aktiviteti publik.
Në të njëjtën periudhë Taylor bëri një shkrim për pretendimet e Veliajt se ai dhe disa vullnetarë kishin mbjellë 25 mijë pemë në një ditë të vetme. Pas analizimit të pretendimeve, si dhe duke folur me disa ekspertë ndërkombëtarë, Taylor zbuloi se kjo nuk ishte e mundur dhe se madje edhe mbjellja e 250 pemëve në të njëjtën hapësirë kohore do të kishte qenë një sfidë e vështirë.
Pastaj, në një artikull që u shpërnda në shumë media të tjera, Taylor shkroi për ushtrinë me profile të rreme në Facebook, të cilat shkruanin kudo komente mbështetëse për Veliajn dhe Kryeministrin Rama. Taylor zbuloi se të gjitha profilet ishin krijuar në muajt e fundit dhe përdornin si foto profile të disa amerikanëve.
Në mars, Taylor raportoi gjithashtu se kryetari i bashkisë sulmoi ashpër Kastriot Çipin, duke e quajtur atë “hajdut” dhe “i pandehur”. Reagimi i Kryebashkiakut erdhi pasi Kastriot Çipi tha në një deklaratë për ‘Opinion’ se “Instituti i Ndërtimit në raportin për shembjen e Teatrit nuk përmend fjalët “e rrezikshme” dhe “shembje”, dhe se Bashkia Tiranë e miratoi ligjin special të teatrit pa konsultime me publikun. Për këtë raportim, Taylor u bë objektivi i fushatës së shpifjeve, sponsorizuar nga qeveria, e cila u denoncua nga Komiteti Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Gazetarëve (CPJ).
Llogaria në Twitter e Kryebashkiakut Veliaj mirëmbahet nga nëpunës civilë të departamentit të komunikimit në Bashkinë e Tiranës, dhe është një nga departamentet kryesore të informimit për veprimtarinë e Veliajt si kryetar bashkie. Ashtu si Kryeministri Edi Rama, Veliaj preferon të bëjë publike veprimtarinë e tij përmes mediave sociale dhe jo përmes konferencave publike me gazetarët, që është mënyrë më transparente dhe standard i vendeve demokratike.
Bllokimi i gazetares Taylor – apo edhe i çdo gazetari tjetër shqiptar apo të huaj – përbën sulm të drejtëpërdrejtë mbi lirinë e shtypit, keqpërdorim të fondeve publike dhe një tjetër shenjë se transparenca në qeverinë socialiste mungon.
Nuk është hera e parë që gazetarët janë bllokuar nga figura publike në Shqipëri. Në nëntor 2017, Delegacioni i BE-së në Tiranë bllokoi Exit.al në Twitter gjatë aktivitetit ‘Ditët e Medias së Ballkanit Perëndimor’. Pas denoncimit publik të këtij fakti, Delegacioni e zhbllokoi sërish Exit.al, duke kërkuar ndjesë privatisht.
Në maj 2018, gjykatat në SHBA vendosën se politikanëve nuk i lejohet të bllokojnë ndjekësit në mediat sociale, pasi është antikushtetuese.
“Fshirja e komenteve kritike lidhur me zyrtarët e zgjedhur është forma thelbësore e diskriminimit në bazë të pikëpamjeve, e cila ruhet nga Amendamenti i Parë”, shkroi gjykatësi James Cacheris për një rast të ngjashëm. Amendamenti i parë mbron, ndër të tjera, të drejtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit.