Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel i kërkoi të dielën Bashkimit Europian të reagojë ndaj Serbisë për pezullimin që ajo i ka bërë adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Eurodeputetja gjermane i ka kthyer përgjigje në rrjetet sociale, kryetarit të komunës së Preshevës Shqiprim Arfit, duke i thënë se pezullimi që bën Serbia për shqiptarët në Preshevë është sistematike nga ana e Serbisë.
Në Twitter ajo shkroi:
“Ky është një problem i madh dhe duhet të adresohet urgjentisht në Beograd nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, Emisari Special Miroslav Lajçak dhe Komisioneri Oliver Varhelyi”.
Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Parlamentin serb ka reaguar disa herë lidhur me këtë çështje.
Ai është shprehur se Serbia ka nisur pezullimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komuna, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Kamberi ka sqaruar se ky proces ka filluar para disa vitesh dhe në Medvegjë po zbatohet më ashpër:
“Por, në kuadër të ligjit për caktimin e vendbanimit po shfrytëzohet një dispozitë e cila thotë se nëse qytetari nuk është duke banuar në vendbanimin që e ka paraqitur, atëherë ai vendbanim pasivizohet. Këtu është fjala për pasivizimin e vendbanimeve”.