Policitë e vendeve evropiane janë në alarm për shkak të fluksit të papreceddent të drogës që tenton të trafikohet nga Shqipëria në Europë nga grupe të organizuara kriminale shqiptare. Me dhjetëra operacione policore në Itali, Greqi, Spanjë, Hollandë, Gjermani kanë vënë në shënjestër drogën e ardhur nga Shqipëria dhe kanë sekuestruar tonelata drogë e arrestuar dhjetëra shqiptarë e të huaj.
Në të njëjtën periudhë, policia shqiptare është mjaftuar vetëm me kontrolle të rastësishme makinash në rrugë dhe bagazhesh në pikat e kalimit të kufirit. Për këtë arsye rezultatet e punës së saj kundër drogës janë qesharake, sikurse kemi raportuar këtu, këtu dhe këtu. Ky kontrast nuk mund të ishte më i madh se sa dy ditët e fundit.
Dje policia e Spanjës njoftoi se shkatërroi një rrjet shqiptaro-bullgar të trafikimit të drogës nga Turqia dhe Shqipëria në Spanjë, i cili drejtohej nga një shqiptar. Policia spanjolle zbuloi pranë Barcelonës një laborator droge ku sekuestroi 38 kg heroinë të pastër, 8 kilogramë kokainë, 50 kilogramë kimikate të përdorura për prerjen dhe përpunimin e drogës.
Nga hetimet rezultoi se droga sigurohej nga shqiptarët përmes Shqipërisë, ndërsa bullgarët bënin shpërndarjen. Po dje, policia greke arrestoi pranë Igumenicës një shqiptar i cili transportonte 28 kilogramë kanabis sativa.
Kurse sot, policia holandeze njoftoi se kishte arrestuar para dy ditësh tre shqiptarë të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash, të cilëve iu sekuestruan 13 kilogramë kokainë dhe 1,3 milionë euro.
Ndërsa në Shqipëri, policia ka të tjera prioritete. Sot mbasdite, Policia e Shtetit çeli në qytetin e Vlorës panairin “Ditë e hapur me Policinë e Shtetit”, i cili do të qëndrojë i hapur pesë ditë. Ministri Tahiri e ka transmetuar direkt vizitën e tij në panair dhe atmosferën festive me muzikë dhe argëtim.
Ky është panairi i dytë që hap policia e shtetit në pak muaj, sikurse kemi përcjellë këtu. Vetëm pak mijëra metra tutje vendit ku zhvillohet panairi, trafikantët janë duke mbajtur një “panair” gjigant të kultivimit të kanabisit me të cilin po përmbytet Europa.