93 për qind të shqiptarëve që aplikuan për azil në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2019, iu refuzua kërkesa.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2019 rreth 20 mijë shqiptarë aplikuan për azil në shtetet e BE-së, por vetëm 1470 prej tyre iu pranua kërkesa.
Shteti që ka pranuar më shumë kërkesa për azil (820 ose 55% e totalit) ishte Franca. Por krahasuar me numrin e atyre që aplikuan për azil në Francë, mbi 11 mijë, për qindja e pranimit është e ulët: 7,4 për qind.
Franca është një prej shteteve që ka shprehur më shumë shqetësimin për rritjen e kërkesave për azil nga shqiptarët.
Në tetor 2019, Franca konsideroi numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria si argument kryesor se përse Shqipërisë nuk i duheshin hapur negociatat. Sipas statistikave në 3 vitet e fundit mbi 20 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Francë dhe në disa periudha ata renditeshin të dytët – pas gjeorgjianëve – për nga raporti i popullsisë.
Presidenti Macron deklaroi në Bruksel se “nuk mund t’ua shpjegonte dot francezëve se si vendit të dytë që kërkon më shumë azil në Francë po i shkojnë gjërat aq mirë sa t’i hapen negociatat për të hyrë në BE”.
Pas Francës, vendi më i preferuar për azil nga shqiptarët në 2019-ën, ishtë Gjermania me 2285 kërkesa, por vetëm 1,1 përqind prej tyre u pranuan.
Shtetet me përqindjen më të lartë të pranimit të kërkesave për azil janë Mbretëria e Bashkuar me 23,5 për qind, dhe Austria me 18,2 përqind.
Suedia, Holanda, Spanja, Finlanda e Danimarka nuk pranuan asnjë kërkesë për azil të shqiptarëve.
Shqipëria është vend i sigurtë origjine – shtetasve të saj nuk i rrezikohet jeta nga luftra, regjime diktatoriale apo rrethana të tjera të jashtëzakonshme, ndaj vendet e BE-së priren të mos pranojnë kërkesat për azil nga shqiptarët.
Sirianët janë ata të cilët iu pranuan më shumë kërkesat për azil për 2019-ën: 78 600 prej tyre morën përgjigje positive.
71 për qind e tyre u vendosën në Gjermani.