Fatmir Xhafaj do të takohet, të enjten, në Berlin me Ministrin e Brendshëm gjerman Horst Lorenz Seehofer. Qëllimi i takimit është diskutimi i çështjes së hapjes në Shqipëri të një kampi për strehimin e emigrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme të përzënë nga BE, kryesisht nga Gjermania.
Seehofer ka propozuar javët e fundit një plan për mos pranimin në Gjermani të asnjë emigranti të regjistruar në vendet e tjera të BE-së, si dhe mbylljen e kufijve të Gjermanisë për pranimin e emigrantëve të rinj.
Ky plan e ka vendosur Seehofer në një kurs përplasje të hapur me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila këkron një zgjidhje të problemit të emigrantëve në nivelin e BE-së dhe jo në mënyrë të njëanshme nga Gjermania.
Seehofer është njëkohësisht kryetar i partisë CSU, simotrës bavareze të CDU-së së Merkelit, ndaj përplasja Merkel-Seehofer ka tronditur koalicion e vjetër CDU/CSU dhe ka vënë në rrezik vetë qeverinë Merkel.
Në një debat të ashpër parlamentar, të premten e shkuar, Seehofer dhe fraksioni i tij i CSU-së i kanë dhënë Merkelit dy javë afat për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët europiane, në rast të kundërt duke fillaur nga 1 korriku Seehofer do të urdhërojë, qoftë edhe pa miratimin e Merkel, kthimin mbrapsht me forcë të çdo emigranti që hyn në Gjermani nga vende të tjera të BE-së.
Në këtë situatë kritike, është vetëofruar Kryeministri Rama, i cili i ka propozuar qeverisë gjermane të konsiderojë Shqipërinë si vend për ngritjen e një kampi për strehimin e emigrantëve që Gjermania do të dëbojë ose do të kthejë mbrapsht në kufijtë e saj.
Të njejtin premtim Kryeministri Rama i bëri pak javë më parë Kancelarit Austriak Sebastian Kurtz, i cili është ideatori i propozimit të krijimit të një kampi të madh jashtë BE-së ku të dërgohen të gjithë emigrantët që do të dëbohen nga BE.
Ofertën e qeverisë shqiptare e rikonfirmoi indirekt, dje, Zëvendës Ministri i Brendshëm Julian Hodaj, i cili në një intervistë për ZDF-në gjermane u shpreh se Shqipëria ka kapacitet dhe përvojë për të strehuar deri në 600 mijë emigrantë. Sipas tij, Shqipëria e ka treguar këtë aftësi edhe në të shkuarën gjatë luftës së Kosovës.
Pikërisht, për të diskutuar mundësinë e një plani të tillë, Seehofer ka ftuar në Berlin Fatmir Xhafajn, i cili pritet të konfirmojë zyrtarisht dakordësinë e qeverisë shqiptare për pritjen në Shqipëri të qindra mijëra refugjatëve që do të dëbohen nga BE pasi u është refuzuar azili ose që do të kthehen në të ardhmen në kufijtë e BE-së pa u lejuar të kërkojnë azil.
Në të vërtetë, Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet të përballojë emigrantë, në kushtet kur edhe për emergjencat më të vogla natyrore i është dashur të kërkojë ndihmë të huaj, kryesisht nga Turqia.
Një vendim i tillë mund të jetë veçanërisht problematik në kushtet kur në vend ka nivel të lartë të krimit, të trafikut të drogës, si dhe një vend origjine dhe tranziti për trafikun e qenieve njerëzore. Për më tepër Shqipëria është vetë një nga vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE.
Por duket se shqetësimi kryesor i qeverisë Rama është të ruajë me çdo kusht pushtetin e saj, duke “blerë” me refugjatë mbylljen e syve të BE-së përballë problemeve të brendëshme të krimit dhe të korrupsionit.
Vizita në Berlin është veçanërisht një arritje propagandistike personalisht për Fatmir Xhafajn, i cili është nën trysni të madhe nga brenda, por edhe jashtë vendit për t’u larguar nga ministër për shkak të aferës së vëllait të tij. Ai do ta shfrytëzojë këtë rast për të krijuar opinionin se është i pranuar nga qeveritë e huaja, ndyrshe nga pretendimet e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë.
Në mënyrë ironike politikanët e huaj më të të zëshëm kundër tij kanë qenë deputetët gjermanë, prandaj pritja nga Seehofer do të përcillet si përgënjeshtrim i këtyre kritikave të cilat do të trajtohen si qendrime personale të këtyre deputetëve gjermanë, madje si qendrime të lobuara nga kundërshtarët e tij në Shqipëri.