Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama më në fund po realizojnë planin e tyre për ndërtimin e kullave tek trualli i godinës së Sarajeve.
Shpronësimi i godinës së Sarajeve ka qënë një plan i vendosur nga Veliaj dhe Rama që në fillim të vitit 2020. Ata nën preteksin e kthimit të godinës në muze u përpoqën të shpronësonin me forcë pronarët e godinës.
Tashmë me djegien e godinës gjithçka u bë më e lehtë.
Veliaj u shpreh të martën në Twitter se zjarri në godinën e Sarajeve ishte i qëllimshëm nga politikanët “e shqetësuar ditën për popullin”, ai u shua nga zjarrëfikësit e Bashkisë dhe mbi të gjitha: Sraajet do të shpronësohet dhe do të shpallet muze.
Madje Veliaj në mënyrë bindëse u shpreh se “ta harrojnë që aty do të ketë ndërtim”.
Kryebashkiaku ka paralajmëruar tre herë shpronësimin e godinës. Në janar 2020, i ftuar në emisionin Opinion, ai u shpreh se pronarët do të shpronësohen dhe godina do të kthehet në muze.
Të njëjtën deklaratë Veliaj e ka bërë dhe në maj, 2020 pas shembjes së Teatrit Kombëtar, duke thënë se shtëpitë e Libohovitëve dhe Sarajet do të shpronësohen për tu kthyer në muze.
Ndërsa në intervistën e dhënë në shtator 2020, Veliaj nuk e përmendi më kthimin e tyre në muze.
Pohimi i thënë në mënyrë të shkujdesur i Veliajt, pa përmendur se çdo të bëjë me dy ndërtesat e shpronësuara, me shumë gjasa zbulon një projekt korruptiv grabitjeje, të cilin kryeministri Rama ka kohë që e ka planifikuar.
Rama, në bashkëpunim me një nga oligarkët më të mëdhenj të vendit, ka planifikuar që në truallin e ndërtesës Sarajet, të ngrejë një kullë rreth 45 kate të lartë, një koncept, idenë e së cilës e ka parë Exit News.
Për shumë vite zhvilluesi i zgjedhur nga Rama, është përpjekur ta blejë ndërtesën dhe truallin nga trashëgimtarët e familjes Kazazi dhe degëzimët pasardhës të saj, familjes Kosova, por ka hasur pengesën e një prej trashëgimtarëve i cili nuk ka pranuar ta shesë pavarësisht çmimit të blerjes.
Duke qënë se kjo pengesë ka qenë e pakalueshme, Rama dhe Veliaj duket se tani kishin hartuar një plan dinak për të realizuar ndërtimin, i cili tani mund të vihet në veprim me shumë lehtësi.
Ata do ta shpronësojnë me justifikimin e ruajtjes dhe me pretekstin se duhet për muze që është një interes publik, dhe në një hap të dytë do ta tjetërsojnë pronën e bërë publike në favor të ndërtuesit privat.
Me gjasa, skema që do të përdoret është ajo që Rama dhe Veliaj po përdorin kudo: do ia japin tokën publike oligarkut, me marrëveshje që katet e para të jenë muze në pronësi të bashkisë, ndërkohë që zhvilluesi do të gëzojë të gjithë pjesën tjetër.
Ndërtesa 45 kate e lartë është pjesë e projektit Rama -Veliaj për ndërtimin e të gjithë zonës nga rruga para Ministrisë së Brendëshme deri tek rruga para godinës së vjetër të PD-së, pra përballë qendrës Toptani, duke krijuar kështu, së bashku me ndërtesat ekzistuese Torre Drini, Gjergji Center dhe Eurocol, një bllok të dendur ndërtesash të larta.