
Policia shpërndau protestuesit me gaz lotsjelles dhe spraj djegës pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt nga posti i Ministrit të Brendshëm.
Dita e dytë e protestës për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha është shoqëruar me tensione të forta. Protestuesit u përplasën me policinë.
Ata janë shpërndarë në disa zona të kryeqytetit pas hedhjes së gazit lotsjellës, por kjo nuk i ka ndalur.
Situata është tensionuar dhe disa protestues kanë goditur godinën e muzeut Kombëtar.
Po ashtu janë thyer xhamat në selinë e Partisë Socialiste. Kjo ka sjellë dhe reagimin e numrit dy të PS Taulant Balla.
Ai e ka cilësuar si vepër të opozitës. Balla i ka bërë thirrje kreut të PD Lulzim Basha të distancohet nga dhuna.
“Se bën dot, s’ke faj! Sepse je ti pjesë e organizimit të dhunës bashkë me Monikën e me Ilirin”, ka shkruar Balla.
Protesta nuk u ndal sot pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt nga posti i Ministrit të Brendshëm.
Ata u shpërndanë në disa zona të kryeqytetit. Për disa orë policia shoqëroi disa prej tyre.
Vrasja e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga një punonjës policie ka ngjallur një valë protestash jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera.
Kryeministri Rama e cilësoi sot aktin e policit si “të pashpjegueshëm” por dënoi gjithashtu edhe protestuesit që u përplasën mbrëmjen e së mërkurës me policinë.
Ata kanë lëshuar sot kore “Rama ik!” dhe “poshtë diktatura” teksa lëviznin në pika të ndryshme të Tiranës.


