Fundi i alibive

Nga Johannes Estrada
Fundi i alibive

Propaganda qeveritare punon prej gjashtë vitesh me dy mesazhe të ndryshme, here-herë edhe kontradiktore, drejtuar dy grupimeve të ndryshme votuesish. Militantëve të zjarrtë dhe më fanatikë të saj propaganda ka synuar t’iu përforcojë perceptimin se kanë përballë “malokët”, të cilët duan t’iu marrin pushtetin “qytetarëve”. Kjo tezë është artikuluar në qindra shkrime të gazetarëve proqeveritarë, në propagandën për shpirtin dhe arritjet artistike të kryeministrit, në deklarimet e komentet përçmuese deri në tallje për “dhunën” e shkaktuar nga opozita.

Sado racist apo i pavërtetë të jetë ky mesazh, një pjesë e madhe e elektoratit socialist e beson atë verbërisht. Për shumë prej tyre shembja e pushtetit komunist ka qenë e mbetet një dramë e vërtetë personale, dhe vitet ’90-të shumë prejt tyre i përballën me krizën e mbijetesës në një ambient të ri ekonomik e politik. Është pjesë e identitetit të tyre personal, trashëgimisë familjare, e nuk ka për t’u larguar kurrë prej tyre bindja se në vitet ’90-të pushtetin ua morën “malokët” dhe ata po iua vënë sërish në rrezik.

Megjithatë, ata janë një pakicë që po tkurret me kohën. Krizat personale të viteve ’90-të, të shoqëruara me ndryshimin e sistemit politik, janë tejkaluar dhe tashmë shoqëria përballet me probleme krejtësisht të tjera. Ky grup mund të mbetet një pjesë thelbësore idenditare, pa të cilën PS nuk do ekzistonte dot, por ata nuk janë të mjaftueshëm më në numra për ta mbajtur atë në pushtet.

Prandaj, për pjesën tjetër të elektoratit—gri, mosbesues ndaj partive dhe më racional—propaganda qeveritare ka shtyrë, veçanërisht vitet e fundit, idenë se opozita jo vetëm është e korruptuar, por edhe e lidhur me të njëjtat interesa private me të cilat punon qeveria. Për këtë arsye, sipas propagandës, opozita është e pabesueshme dhe shoqëria nuk do përfitonte asgjë nga rotacioni politik.

Ky argument përhapet sa nga blogjet gjysëm anonime, sa i thënë mes rreshtash nga “intelektualë” të lidhur me qeverinë, aq edhe haptazi nga eksponentë të shumicës. Si shembull, kujtoni Erion Veliajn, që përsëriste vazhdimisht si mbrojtjen kryesore për skandalin e projektit të Unazës së Madhe faktin se një nga kompanitë ndërtuese kishte marrë tendera edhe në kohën e paraardhësit të tij.

Të jemi të sinqertë, ka të vërteta në këtë mesazh. Pikërisht për këtë arsye, ai ka ngjitur te një pjesë e shoqërisë. Pikërisht për këtë arsye, në protestat e ndryshme anti-qeveritare ka pasur mosbesim mes qytetarëve në lidhje me bashkëpunimin me opozitën.

Ky mesazh është ndihmuar edhe nga fakti se në këto gjashtë vjet opozita ka dështuar të krijojë bindjen se ajo nuk është e korruptuar dhe se nuk është shantazhueshme nga biznesmenët kryesorë të vendit. Kjo ishte sfida kryesore e kryetarit të ri të PD-së, e deri më sot ai ende nuk ka arritur ta ndryshojë këtë perceptim apo frymë, që ekziston për të dhe partinë që ai drejton.

Por, në një mënyrë ose tjetër, e gjitha kjo merr fund me djegien e mandateve. Sot opozita nuk ka më vota në parlament për të shitur, apo influencë politike për të përdorur. Ajo nuk ka më asnjë pushtet formal, të cilin mund ta përdorë në mbrojtje të interesave të dyshimta ekonomike. Sado të vërteta, sado të forta të kenë qenë këto lidhje, sot opozita ka pranuar edhe të vetësakrifikohet, por jo të jetë me pjesë e sistemit politik që mbron këto interesa private ekonomike.

Duke e lënë të vetme qeverinë, opozita i ka hequr asaj një nga alibitë kryesore me të cilën Edi Rama shfajësohet para publikut. Të paktën për momentin, hipotezat se opozita mbron interesat e veta ekonomike, se Sali Berisha mbron fëmijët e tij, se familjarë të Lulëzim Bashës u vënë gjobë bizneseve, marrin fund. Ata sot janë qytetarë të thjeshtë, mund të hetohen normalisht, sikurse familjarët e tyre, dhe, për më tepër, nuk kanë asnjë pushtet real me të cilin të mund të mbrojnë ose shantazhojnë biznese. Me një Prokurori të drejtuar nga njerëzit e saj, dhe me gjyqtarë të frikësuar nga procesi i vetingut, qeveria ka sot të gjithë mjetet për të nisur këto hetime, nëse dëshiron.

Sikur të mos arrijë asgjë tjetër, djegia e mandateve është, të paktën për momentin, fundi i alibive dhe propagandës qeveritare të këtyre gjashtë viteve. Nga sot opozita nuk ka më asnjë pushtet, ndërsa qeveria i ka të gjitha, përfshi atë për të hetuar këdo.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>