Furnizimi me ujë jepet me koncesion, qeveria ka gati projektligjin

Nga Gerard Gega
Furnizimi me ujë jepet me koncesion, qeveria ka gati projektligjin

Qeveria ka propozuar ligj që i jep me koncesion shërbimet e ujësjellës kanalizimeve. Prej 30 tetorit projektligji “Për sektorin e furnizimit me ujë dhe largimin, grumbullimin e trajtimin e ujrave të ndotura urbane” është njoftuar për konsultim publik dhe pas 20 ditësh pritet të dërgohet në Parlament.

Qeveria vlerëson se me këtë ligj do të rregullojë sektorin dhe do të jape më tepër mundësi për rastet ku “performanca financiare e ujësjellës-kanalizimeve nuk është e qëndrueshme”. Zgjidhja duket të jetë koncesionimi i shërbimeve që parashikohet në Nenin 25 për “marrëveshjet koncesionare dhe PPP”:

  1. Dhënia me koncesion apo me marrëveshje PPP e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe PPP.
  2. Studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga bashkitë përkatëse për dhënien me koncesion ose nëpërmjet një marrëveshje PPP, miratohet paraprakisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) brenda 1 muaji nga paraqitja e tij.
  3. Vetëm pas marrjes së miratimit nga Ministria dhe ERRU, Bashkia vijon me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe PPP.

Shërbimi i ujësjellës kanalizimeve funksionon kryesisht përmes shoqërive aksionere me pronar bashkitë. Sipas ERRU “aktualisht ka 57 shoqëri të tilla që ofrojnë shërbimin e ujësjellësit, ndërsa për kanalizimet ka 32 kompani, 5 prej të cilave kryejnë edhe trajtimin e ujërave të ndotura”. Nga këto, Ujësjellës Kanalizimet Tiranë (UKT) është ndër më të mëdhatë, pasi ka mbi 250 mijë abonentë.

Performanca e dobët financiare si justifikim për rritje çmimi apo koncesion

Bashkia Tiranë dhe UKT janë shembulli se si performanca e dobët financiare u përdor për të rritur çmimin e ujit dhe huamarrjet.

Në vend që të mirëmenaxhonte kompaninë duke përmirësuar të ardhurat, faturimet dhe duke ulur debitorët. Bashkia Tiranë zgjodhi të rriste çmimin me 40 për qind dhe huamarrjet.

Prej vitit 2017 kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur një projekt investimesh, i cili thuhet se do t’u garantojë qytetarëve furnizim të rregullt 24 orësh brenda vitit 2021. Atë periudhë kohe, UKT kishte 28 milionë euro kredi të pashlyera.

Dy vite më pas, situata nuk ka ndryshuar. Gjatë verës qytetarët e Tiranës patën njësoj mungesa në furnizim, ndërkohë që asnjë pjesë e kryeqytetit nuk furnizohet ende rregullisht 24 orë.

Plani i Bashkisë Tiranë ishte që deri në vitin 2021 të investoheshin mbi 170 milionë euro, por të dhënat tregojnë se në vitet e fundit UKT nuk ka patur më shumë se 35 milionë euro fonde. Rreth 38 për qind e kësaj shume është shpenzuar për roje private, makina, karburant dhe zyra.

Me ligjin e propozuar nga qeveria, tashmë bëhet gati mënyra nga ku Bashkia e Tiranës të sigurojë pjesën tjetër të investimeve të premtuara në UKT duke dhënë me koncesion apo partneritet publik-privat një nga shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve, kostot e së cilës mund t’iu faturohet sërish qytetarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>