Qeveria italiane i ka bërë thirrje federatës së futbollit (FIGC) që të shqyrtojë seriozisht mundësinë për të pezulluar kampionatin.
Ministri Italian i Sportit dhe Politikave të Rinisë, Vincenzo Spadafora përkrahu sot publikisht shoqatën e futbollistëve rreth shqetësimit për situatën e koronavirusit dhe rrezikut me të cilin po përballen sportistët çdo ndeshje.
Spadafora theksoi se FIGC duhet ta vlerësojë menjëherë situatën pasi:
“[…] nuk ka sens që në një moment kur disa rajone janë në shtetrrethim dhe po kërkohen masa emergjente për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, shëndeti i sportistëve, stafeve teknike, apo akoma më shumë, tifozëve të vihet në rrezik”.
Pas kësaj deklarate, ndeshja e mesditës Parma-Spal u shty përkohësisht. Zyrtarët e ndeshjes kthyen futbollistët në dhomat e zhveshjes duke pritur një urdhër të dytë nga FIGC, urdhër që erdhi 30 minuta më vonë dhe që nuk e pezulloi ndeshjen, përkundrazi.
Ndeshja do të luhej pa tifozë dhe parashikohej të niste në 12:30, por nisi në 13:45. Drejtuesi i shoqatës së futbollistëve, Damiano Tommasi deklaroi se nëse nuk merren masa shoqata do të nxisë grevë të përgjithshme. Më herët ai kishte kërkuar hapur pezullimin e kampionatit.
Pavarësisht këtyre kërkesave, ndeshjet e pasdites Milan-Genoa dhe Sampdoria-Verona u zhvilluan normalisht, ndërsa në darkë parashikohet të luhet edhe derbi i Italisë, Juventus-Inter, e shtyrë një javë dhe e vendosur për t’u luajtur pa spektatorë.
Presidenti i FIGC Gabriele Gravina ka njoftuar pjesëmarrjen në një konferencë të jashtëzakonshme ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha federatave sportive në Itali për të diskutuar për një vendim të përbashkët rreth aktiviteteve sportive.
Qeveria italiane vendosi me VKM gjendjen e shtetrrethimit për disa rajone të veriut, pasi gjendja e koronavirusit përshkallëzoi me rreth 6 mijë të prekur dhe mbi 230 të vdekur.
VKM-ja ndalon kategorikisht manifestimet dhe grumbullimet e njerëzve, por lejon që aktivitetet sportive të zhvillohen pa tifozë.