Gjashtë shtete anëtare të BE-së i kanë dërguar një letër Komisionit Europian duke kërkuar të mos ndalohet dëbimi i azilkërkuesve afganë pavarësisht përparimeve të mëdha të militantëve talebanë në vendin e tyre, tha një ministër i njërit prej firmëtarëve.
“Fakti që rajonet e një vendi nuk janë të sigurta nuk do të thotë se secili shtetas i atij vendi automatikisht ka të drejtën e mbrojtjes,” tha sekretari shtetëror i Belgjikës për azilin dhe migracionin, Sammy Mahdi, në Twitter të hënën.
Sipas tij Gjermania, Austria, Holanda, Danimarka, Greqia dhe Belgjika janë vendet që i janë drejtuar BE-së.
Mahdi tha gjithashtu se afganëve që iu është refuzuar azili duhet të kthehen mbrapsht në vendin e tyre.
Forcat Talibane kanë rritur sulmet ushtarake kundër qeverisë së Afganistanit. Ata kërkojnë të rivendosin ligjin e rreptë islamik në fuqi pasi u rrëzuan nga pushteti në vitin 2001 nga forcat e SHBA.
Pasi forcat e huaja paqeruajtëse nisën të tërhiqen nga Afganistani, talibanët kanë përparuar duke kapur gjashtë kryqytete krahinore.
Çështja e azilkërkuesve afganë pritet të diskutohet në një takim ‘online’ të ministrave të brendshëm të BE -së më 18 gusht, i cili u organizua kryesisht për të diskutuar një rritje të kalimeve ilegale të kufirit nga Bjellorusia në shtetin anëtar të BE -së, Lituaninë.
Polonia dhe Letonia kanë parë gjithashtu një fluks të shtuar emigrantësh nga Bjellorusia.