Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar shkelje të procesit të rregullt ligjor, zhvillimin e një gjyqi ku një prej gjyqtarëve nuk është zgjedhur në përputhje me ligjin.
Në çështjen Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës, Gjykata e të Drejtave të Njeriut u shpreh se aplikantit i është mohuar e drejta e gjykimit nga një gjykatë e krijuar nga ligji sepse njëri prej gjyqtarëve ishte zgjedhur në shkelje të ligjit islandez.
Z.Ástráðsson u dënua në mars të 2017, pasi po i jepte makinës pa leje drejtimi të vlefshme, vendim të cilin e ankimoi në gjykatën e apelit.
Ai kërkoi në apel dorëheqjen e njërit prej gjyqtarëve pasi ishte zgjedhur në kundërshtim me ligjin. Kjo kërkesë nuk u pranua nga apeli, i cili la në fuqi dënimin për Ástráðssonin.
Sipas ligjit islandez, gjyqtarët e apelit do të zgjidhen nga kandidatët e propozuar nga një komision vlerësimi. Ministri i Drejtësisë kishte të drejtë të shtonte një ose më shumë kandidatë me kushtin që ata të plotësonin kushtet minimale.
Gjyqtari në fjalë, pjesë e trupit që dënoi qytetarin, ishte renditur ndër të fundit për plotësimin e kushteve, por Ministri e përzgjodhi atë. Ai më pas u votua në parlament dhe u bë pjesë e gjykatës
Këtë procedurë, GJEDNJ-ja e konsideroi si cenim të nenit 6, pika 1 e Konventës së të Drejtave të Njeriut, ku parashikohet se çdo qytetar ka të drejtë të gjykohet nga një gjykatë e krijuar me ligj.
Ky rast është i ngjashëm me çështjen e Luan Dacit, anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Të martën, gjykata e dënoi atë se ka falsifikuar dokumentet duke fshehur të kaluarën. Me dënimin e tij vihet në pikëpyetje proceset e gjykimit ku ai ka marrë pjesë, nga të cilët janë shkarkuar dhjetra magjistrantë.
Ndërkohë disa prej magjistrantëve të shkarkuar nga vetingu, ku pjesë e trupës gjykuese ka qenë Daci, kanë paditur Shqipërinë në Strasburg për shkak të cenimit të të drejtës për tu gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj.