Kampionati gjerman i futbollit mund të rinisë më 9 maj, pavarësisht se shumica e ndeshjeve do të zhvillohen pa tifozë.
Drejtuesit e landeve kryesore të Gjermanisë u shprehën të hënën me optimizëm për t’i dhënë dritën jeshile rinisjes së futbollit.
Të martën përfaqësuesit e 36 klubeve të Bundesligës do të zhvillojnë një videokonferencë me drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit ku pritet të merret edhe vendimi.
Autoritetet lejuan të hënën hapjen e dyqaneve të vogla, ndërkohë që në përgjithësi aktivitetet e mëdha me grumbullime njerëzish janë ndaluar deri më 31 gusht.
Presioni i kompanive sponsorizuese, i mediave dhe sidomos tifozëve për të rinisur futbollin i ka shtyrë drejtuesit të nxisin për një zgjidhje sa më të afërt.
Në Gjermani kampionati u ndërpre më 13 mars si masë parandaluese për përhapjen e Covid-19, por prej një jave klubeve u është lejuar të zhvillojnë sërish stërvitje.
Nga statistikat e autoriteteve gjermane epidemia e koronavirusit duket me prirje të përmbajtura.
Aktualisht numërohen mbi 141 mijë të infektuar, prej të cilëve rreth 4 500 kanë vdekur.
Federata është e vendosur që sezoni të mbyllet brenda 30 qershorit, në mënyrë që të mos ketë penalitete nga të drejtat televizive, të cilat sigurojnë rreth 300 milionë euro të ardhura.
Nëse drejtuesit e klubeve dhe të landeve bien dakord atëherë vendimi do të presë aprovimin final nga kancelarja Merkel.
Kështu Bundesliga mund të bëhet kampionati i parë në Evropë që rifillon sezonin e ndërprerë 2019-2020.
Për më shumë lexo: Futbolli nën pandemi – çfarë do të ndodhë me kampionatet më të ndjekura në Evropë.