Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, gjatë një telefonate të martën me kryeministrin kosovar Albin Kurtin, përsëriti qëndrimin e Gjermanisë se integrimi i Kosovës në BE kalon nga dialogu me Serbinë.
“Është prioritet kyç për Gjermaninë që të sigurojë perspektivë brenda Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Dialogu i normalizimit me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbetet kyç për këtë epilog” citohet të ketë thënë Maas nga mediat vendase.
Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij e quajti bisedën produktive në një postin në rrjetin Twitter.
“Gjermania është anëtare kyçe e BE-së dhe ndajmë të njëjtin vizion për një Ballkan Perëndimor demokratik, të përkushtuar për pranim të plotë në BE dhe NATO” shkruan Kurti.
Telefonata vjen jo larg vizitës që ministri gjerman Mass pati në Kosovë e Serbi me krerët e shtetit javën e fundit të prillit, e cila pati në qendër arritjen e marrëveshjes së normalizimit me Serbinë.
Në mënyrë të ngjashme, kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç zhvilluan takime të nivelit të lartë në Bruksel.
BE-ja kërkon të shtyjë qeverinë Kurti të rifillojë dialogun me Serbinë, ndërkohë që ky i fundi ka deklaruar se çështja nuk është prioritare për Kosovën në kohë pandemie.
Gjithastu, Kurti deklaroi se Kosova ka hedhur hapa për padi për gjenocid ndaj Serbisë, një hap që vështirëson negociatat mes vendeve.