Gjykata e Lartë publikoi sot listën e re të kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, bashkë me dy kandidatët e vetëm që aplikuan në thirrjen e dytë për gjyqtarë nga gjykatat e apelit jashtë Tiranës, hapur dy javë më parë, në shkelje të ligjit, nga kreu i Gjykatës së Lartë.
Dy kandidatët e rinj janë: Brikena Ukperaj, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, anëtare e Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë të vitit 2017, e cili e kaloi vetingun më 25 qershor; dhe Luan Dervishi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër, i cili pret të përballet me KPK-në si kandidat për Gjykatën Kushtetuese.
Lista përfundimtare me gjyqtarët që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtarë të KLGJ-së është:
Nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore:
- Alma Brati – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
- Astrit Faqolli – Gjykata e Gjyqësor Rrethit Tirane
- Brunilda Kadi – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
- Manjola Xhaxho – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
- Marçela Shehu – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin
- Dritan Hallunaj – Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda
Nga Gjykatat e Apeleve:
- Ilir Toska – Gjykata e Apelit Tiranë
- Nertina Kosova – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda
- Luan Dervishi – Gjykata e Apelit Shkodër
- Brikena Ukperaj – Gjykata e Apelit Vlorë
Nga Gjykata e Lartë:
- Medi Bici – Gjykata e Lartë
Sipas Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, 6 anëtarët e KLGJ-së duhet të jenë nga gjykata të niveleve të ndryshme:
a) tre prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të shkallës së parë jashtë Tiranës;
b) dy prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të apelit. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës;
c) një prej të zgjedhurve është gjyqtar në Gjykatën e Lartë.