Gjykata e Bashkimit Evropian vendosi të enjten se Hungaria ka thyer ligjet e BE-së për mbrojtjen e migrantët dhe refugjatëve në nevojë duke bllokuar të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe duke dëbuar me forcë njerëzit në kufirin serb.
Vendimi parashikon që Hungaria të ndryshojë politikën e saj kundrejt emigracionit ose të paguajë gjoba. Ky vendim është vetëm refuzimi i radhës nga institucionet e BE-së ndaj strategjisë anti-imigrim të kryeministrit Viktor Orban, nisur që në vitin 2015.
“Gjykata vlerëson se Hungaria ka dështuar të përmbushë detyrimin e saj për të siguruar qasje efektive në procedurën për dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare,” u shpreh gjykata më e lartë e BE-së në një deklaratë.
Gjykata hodhi poshtë qëndrimin e qeverisë hungareze se kriza e migracionit, kur miliona njerëz u larguan nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut për në Evropë, ishte justifikim për shkeljen e rregullave të BE-së me qëllim ruajtjen e rendit publik në Hungari.
Gjatë kulmit të krizës, Orban urdhëroi që të mbyllet kufiri jugor i Hungarisë, duke bllokuar rrugën për qindra mijëra migrantë dhe duke bllokuar njerëzit në të ashtuquajturat zona tranziti të migrantëve në kufijtë e saj deri në maj të këtij viti.
Gjykata gjeti gjithashtu se Hungaria ka gabuar kur dëboi me forcë shtetasit jo europianë, duke përdorur policinë në Serbi, e cila nuk është vend anëtar i BE-së, pa zbatuar asnjë rregull dhe garanci që BE respekton gjatë dëbimeve të njerëzve.
Gjykata vuri në dukje se kufiri tokësor i Serbisë ishte “pa asnjë infrastrukturë” dhe se Hungaria nuk e respektoi të drejtën e migrantëve për të kërkuar azil ose për të qëndruar në vend për një periudhë të kufizuar edhe pasi kërkesa e tyre për azil ishte refuzuar.
Ndërsa ky vlerësim i gjykatës përqendrohet në situatën e krijuar gjatë viteve 2017-2018, Hungaria që atëherë ka ndryshuar rregullat për të ndaluar në mënyrë më efektive ardhjen e emigratëve dhe aplikimin e tyre për azil.