Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha për vendimin e shkarkimit nga detyra të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Me vendimin numër 83, datë 7 qershor 2021, Gjykata Kushtetuese vendosi mos kalimin e çështjes në seancë plenare.
Gjyqtarja Hoxha ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e saj nga detyra.
Ajo pretendoi se shkarkimi i saj ishte antikushtetues. KLGJ e shkarkoi nga detyra gjyqtaren Enkelejda Hoxha me 17 mars. KLGJ vendosi të pranojë kërkesën e ILD për shkarkimin nga detyra të gjyqtares.
Procesi ndaj saj ka nisur që me 8 janar, ku KLGJ caktoi seancën dëgjimore për gjyqtaren Hoxha. KLGJ shtyu më pas në 29 janar vendimin për shkarkimin ose jo të gjyqtares. Vendimi erdhi pas kërkesës së gjyqtares Hoxha, e cila kërkoi më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e saj.
Më 29 janar, KLGJ shtyu për herë të dytë vendimin për Hoxhën me të njëjtin argument si më sipër.
Në 11 shkurt, Prokuroria e Posaçme e arrestoi gjyqtaren nën akuzën e korrupsionit. Sipas SPAK, gjyqtarja do të lironte një të dënuar me 25 vite burg.
Këshilli u mblodh me 16 shkurt ku vendosi të shtyjë sërish vendimin për gjyqtaren e Krujës. Vendimi i vetëm ndaj gjyqtares deri më sot është pezullimi nga detyra. Kjo vjen si kërkesë e ligjit për statusin e gjyqtarit. Sipas tij gjyqtarja duhet të pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve dhe marrjen e një vendimi të formës së prerë.
Ndërkohë gjyqtarja Hoxha ndodhet në arrest me burg që prej 11 shkurtit.
Gjyqtarja Hoxha njihet si ‘avokatja mbrojtëse’ që ka mundësuar lirimin e parakohshëm të disa kriminelëve të dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjyqtarja Hoxha ka liruar Endrit Doklen, Hekuran Billon, Genc Tafilin dhe Ilir Pajën, përmes një skeme të njëjtë.