Gjykata sekuestron 6 prona të tjera të Ylli Ndroqit

Nga Exit News
Gjykata sekuestron 6 prona të tjera të Ylli Ndroqit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka urdhëruar sekuestrimin e 6 pasurive të tjera të Ylli Ndroqit. Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Antikorrupsionit, për sekuestrimin e 6 pasurive të tjera, përveç atyre të sekuestruara më gusht 2020.

Pasuritë e reja të paluajtshme, (truall dhe objekte) me sipërfaqe totale 9232.8 m2 dhe vlerë 186 737 511 lekë, (rreth 1.6 milion euro) të ndodhura në Tiranë, u sekuestruan më 3 qershor 2021, sipas njoftimit të SPAK.

SPAK në bazë të hetimeve të kryera në 2020 ka gjetur se këto pasuri janë të pajustifikuara në krahasim me të ardhurat dhe shpenzimet e raportuara nga Ndroqi.

Sipas hetimeve, të ardhurat e Ndroqit në çdo vit janë 1 048 667 240 leke, shpenzimet janë 1 418 522 446 leke. Shpenzimet e pambuluara me të ardhura janë rreth 3 milion euro.

Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion ka nisur hetimet kundër Ylli Ndroqit, pronarit të televizionit RTV Ora, në 2020, për përfshirje në aktivitete kriminale në Turqi, Itali e Shqipëri.

SPAK sqaron se Ndroqi, i njohur dhe me emrin Xhemail Pasmaçiu, është arrestuar dy herë:

 – Në 2 shtator 1998, policia e Stambollit ka arrestuar në flagrancë me 30.5 kg lëndë narkotike heroine, Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu, dhe 6 persona të tjerë. Interpol Tirana ka konfirmuar të dhënat dhe rezultoi se Ylli Bahri Ndroqi, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) Pasmaciu (Pasmaçiu), i arrestuar në Turqi.

 – Në vitin 2004, po ashtu, në Itali, Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të një operacioni, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal. Në vitin 2006, prokuroria e Milanos lëshoi urdhër arresti për Ndroqin. Ai u arrestua në 17 shkurt 2015, bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>