Gjyqtari i Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj po përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.
Ai është pjesë e listët prioritare pasi kandidon për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Trupa që po zhvillon seancën me Zotin Hallunaj përbëhet nga Pamela Qirko, Suela Zhegu dhe Genta Tafa.
Gjatë seancës, KPK deklaroi se megjithëse sipas ILDKPKI, gjyqtari ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka burime të ligjshme për ta justifikuar atë, ka gjithsesi disa paqartësi në deklaratën e tij të pasurisë.
Kështu, gjyqtari ka në pronësi një apartament 160 metër katrorë të blerë për 49 mijë euro, pra për rreth 300 euro për metër katrorë. Sipas KPK-së, ky çmim është shumë më i lirë se sa çmimi i tregut. Për këtë rast, gjyqtari Hallunaj tha se apartamenti është blerë në okazion për shkak të vështirësisë financiare të kompanisë ndërtuese.
Për sa i përket aftësive profesionale, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një ankesë ndaj gjyqtarit Hallunaj lidhur me vendimin për pafajësinë që i dha Arben Frrokut në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kujtojmë se Arben Frroku akuzohej për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Sipas Prokurorisë vendimi ka qenë i pabazuar dhe i njëanshëm dhe janë anashkaluar provat.
Gjyqtari Hallunaj është kandidati i fundit për KLGJ-në që po përballet me KPK-në.