Goditja e oligarkëve rusë, mjet efikas kundër pushtetit të Putin

Goditja e oligarkëve rusë, mjet efikas kundër pushtetit të Putin

Javën e shkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të reja ndaj më shumë se 30 kompanive të mëdha ruse që besohet se kanë lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin dhe oligarkët që i drejtojnë ato. Qeveria amerikane pohoi se sanksionet janë përgjigje ndaj aktiviteteve keqdashëse të Rusisë kundër Ukrainës, Krimesë dhe Sirisë.

Efekti i sanksioneve në vlerën e aksioneve në bursë të kompanive të shenjestruara ka qenë i menjëhershëm, duke çuar në rënie të vlerës tregtare të kompanive, në disa raste deri në përgjysmim të vlerës.

Kompanitë më të prekur janë ato në pronësi të oligarkut Oleg Deripaska, një nga biznesmenët më të afërt të Putinit: Rusal, kompania e dytë në botë për prodhimin e aluminit, dhe EN+, kompania e saj mëmë, dhe një ndër 10 kompanitë më të mëdha në botë në fushën e metaleve dhe energjisë. Të dyja kompanitë humbën brenda dy ditësh 25-50 për qind të vlerës së tyre në bursat e Hong Kongut dhe Londrës.

Sanksionet e njoftuara nga Departamenti i Thesarit i SHBA-ve më 6 prill përfshijnë edhe oligarkë të tjerë të fuqishëm si Aleksei Miller, drejtori ekzekutiv i monopolit i gazit natyror Gazprom.

Lista e publikuar para pak ditësh, e sipërmarrësve dhe bizneseve që u vunë nën sanksione, është e dyta brenda muajit të fundit. Në mars, Administrata Trump vuri sanksione ndaj një numri shtetasish dhe kompanive ruse që akuzoheshin për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 përmes sulmeve kibernetike.

Komentatorë dhe studiues të ekonomisë e kanë vlerësuar vendosjen e sankioneve si përpjekje për të ndryshuar sjelljen e Rusisë dhe veçanërisht Presidentit Putin në arenën ndërkombëtare. Duke e bërë të vështirë për bashkëpunëtorët dhe financuesit e Presidentit Putin të bëjnë biznes, të udhëtojnë në SHBA, ose të përdorin sistemin financiar për të mbrojtur pasurinë e tyre, SHBA synon të ndalojë “makinën” që mban në pushtet Putinin.

Ministria e Jashtme e Rusisë dënoi vendosjen e sanksioneve duke e quajtur veprimin të paligjshëm dhe paralajmëroi marrjen e masave për hakmarrje nga Rusia.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>