Qeveria greke premtoi se do të rrisë shpejtësinë e vaksinimit kundër koronavirusit, duke synuar të vaksinojë rreth 8 mijë persona në ditë krahasuar me 5 mijë që po vaksinon aktualisht.
Deklarata u bë të premten nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis në fillim të një takimi qeveritar për Covid-19.
Greqia filloi vaksinimet me vaksinën e kompanive Pfizer e BioNTech, në fund të dhjetorit dhe të parët që morën publikisht dozën e vaksinës ishin kryeministri, kreu i partisë opozitare dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
Dozat e vaksinës janë shpërndarë në spitalet në të gjithë Greqinë, ndërsa 19 spitalet e fundit në ishuj janë planifikuar të nisin me vaksinimin në 11 janar.
Sipas planit të Greqisë, grupet e para që po vaksinohen janë punonjësit e kujdesit shëndetësor në spitalet publike dhe private, të ndjekur nga të moshuarit dhe punonjësit në shtëpitë e kujdesit ditor, njerëzit mbi moshën 80 vjeç dhe ata me sëmundje shoqëruese që i bëjnë më të rrezikuar nga Covid-19.
Deri më tani, mbi 26 mijë persona kanë marrë një dozë të vaksinës, sipas statistikave të qeverisë. Greqia ka një popullsi prej rreth 11 milion banorësh dhe ka raportuar më shumë se 142,700 raste të infektuarish me koronavirus, përfshirë 5,146 vdekje.