Guardia di Finanza: më 2015 deklaroi shkatërrimin e 99,2% të kanabisit, më 2016, 99,8%. Po këtë vit sa do deklarojë?

Guardia di Finanza: më 2015 deklaroi shkatërrimin e 99,2% të kanabisit, më 2016, 99,8%. Po këtë vit sa do deklarojë?
Skena gjigande në Pallatin e Kongreseve që ekspozonte shifrën e fitores së luftës kundër drogës

Kryeministri Rama po përgatitet që të shpallë ditët e ardhshme, për herë të tretë në po aq vite, fitoren e madhe kundër kultivimit dhe trafikimi të kanabisit. Edhe këtë herë, ai pritet ta bëjë këtë gjë në krah dhe duke përdorur “shifrat” e punonjësve të misionit Guardia di Finanza në Tiranë, sikurse ka bërë edhe dy herët e mëparshme.

Për herë të parë, Kryeministri Rama shpalli fitoren ndaj drogës më 16 shtator 2015, në një ceremoni gjigande dhe bombastike të organizuar në Pallatin e Kongreseve.

Në bazë të “raporteve të pavarura” të Guardia di Finanza, Kryeministri Rama deklaroi gjatë ceremonisë se Policia Shqiptare kishte shkatërruar 99,2 për qind të sipërfaqes së mbjellë më kanabis.

Madje për të rritur besueshmërinë e këtij triumfi, në fjalën e tij, Kryeminitri Rama u shpreh se rezultatet që ai bëri publike kishin marrë “vulën e dy ambasadorëve të përfshirë drejtpërdrejt në këtë luftë, duke ju referuar ambasadorit amerikan Donald Lu dhe atij italian Massimo Gaiani që ishin në krah të Kryeministrit Rama në këtë ceremoni dhe përshëndetën arritjen.

Ambasadorët Gaiani dhe Lu gjatë ceremonisë së shpalljes së fitores mbi drogën më shtator 2015

Kryeministri Rama mbrojti hapur në këtë takim Minsitrin e Brendshëm Tahiri, i cili ishte në qendër të akuzave të opozitës për lidhje me trafikun e drogës. Duke ju drejtuar policëve Kryeministri u shpreh:

Ajo çka ju keni bërë gjatë këtij viti është padyshim një nga historitë më të shënuara të suksesit të këtij shtetit dhe Policisë së Shtetit.

Duhet të jeni krenarë që me rezultate, me shifra dhe fakte të pakontestueshme keni hedhur në tokë të gjithë sasinë marramendëse të baltës, që për muaj e muaj të tërë ka rënë mbi Policinë e Shtetit, mbi drejtuesit e saj dhe mbi Ministrin e Brendshëm.

Një vit më pas, në 7 tetor 2016, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako dhe oficerët e Guardia di Finanza bënë publike atë që ata e quajtën raportin vjetor të Guardia di Finanza për vitin 2016. Në krah të oficerëve të lartë italianë, në një konferencë shtypi para mediave në Hotel Sheraton, Çako deklaroi se, sipas të dhënave të Guardia di Finanza të përpunuara me metoda shkencore nga Universiteti i Napolit, policia shqiptare kishte asgjësuar 99,8 për qind të sasisë së kanabisit të mbjellë në Shqipëri gjatë vitit 2016.

komunikimin javor në Facebook të datës 9 tetor, Kryeministri Edi Rama e lëvdoi këtë arritje të policisë duke u shprehur:

Këtë vit u kryen më shumë fluturime se çdo herë dhe sipas raportit të monitorimit pati një rritje të forcës reaguese të Policisë së Shtetit. 99,8 për qind e parcelave u shkatërruan. Nuk e themi unë, nuk e thotë Ministria e Brendëshme. E raporton guardia di Finanza këtë shifër, një trupë e njohur botërisht për profesionalizmin dhe integritetin e saj në luftën kundër krimit më të sofistikuar. Këtë luftë e fitoi, dhe shifrat thonë se e fitoi më binshdshëm se asnjëherë tjetër, Policia e Shtetit këtë vit. Nuk e fituan as trafikantët, as kazanët e politikës.

Pas kësaj paraqitje në publik, policia e shtetit filloi një fushatë propagandistike për këtë arritje, duke shpërndarë postera me të dhënat e suksesit kundër kanabisit me logon e Guardia di Finanza dhe Ministrisë së Drejtësisë së Italisë.

Posterat propagandistikë të policisë shqiptare me logo te Guardia di Finanza të Italisë

Më pas Exit.al u interesua por zbuloi se nuk ka patur ndonjëherë ndonjë raport të hartuar nga Guardia di Finanza.

Gjithsesi, se ç’ndodhi pas shpalljes së kësaj “fitoreje” tashmë është e qartë për të gjithë: qindra mijëra kilogramë marijuanë të kapur nga policia italiane, por edhe greke dhe shqiptare.

Ndërkohë, le të presim se çfarë do të deklarojë pas pak ditësh Guardia di Finanza për të dhënat e këtij viti.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>