Haradinaj letër Kurtit: Mos e hiq taksën ndaj Serbisë për disa përfitime të përkohshme

Haradinaj letër Kurtit: Mos e hiq taksën ndaj Serbisë për disa përfitime të përkohshme

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka kërkuar publikisht kryeministrit të ri Albin Kurti të mos e heqë taksën ndaj Serbisë.

Me anë të një letre publike, Haradinaj shprehet se megjithëse janë kundërshtarë në ide politike, ai ia njeh sakrificën dhe qëndrimin që Kurti ka mbajtur kundrejt Serbisë:

“Ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra të politikës ditore, por sakrificën gjithmonë ta kam njohur.

Për shkak të kësaj sakrifice dua që personalisht të lutem të mos e largosh taksën ndaj Serbisë.

Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Euro-ve për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi.

Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terma të mjegullta siç është “reciprociteti”.”

Duke i kujtuar se ndërkombëtarët mund ta joshin me përfitime të momentit në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë, Haradinaj i kujton Kurtit se ato janë vetëm përfitime të përkohshme dhe se Kosova duhet të kërkojë reciprocitet të plotë nga Serbia dhe njohje të pavarësisë:

“Nuk kemi arritur deri këtu ku jemi si Kosovë me taktizime të përkohshme, por me sakrificë e qëndrueshmëri.

Në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke e jo të jesh për një “reciprocitet” pa njohje.”

Kjo letër publike e Haradinajt vjen pas vizitës së ditëve të fundit të  të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve në Kosovë, Richard Grenell, i cili në takimet me Kurtin ka kërkuar heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë.

Si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kryetarja e re e kuvendit të Kosovës kanë deklaruar se taksa 100 për qind ndaj Serbisë do të “zëvendësohet  me reciprocitet, politik, ekonomik dhe tregtar” pa sqaruar më qartë se si do të ndodhë kjo.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>