Haradinaj, nuk di ndonjë veprim antishqiptar të Bashës në UNMIK

Nga Exit News
Haradinaj, nuk di ndonjë veprim antishqiptar të Bashës në UNMIK

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se nuk ka dijeni për asnjë veprimtari të dyshimtë kundër Kosovës të Lulzim Bashës gjatë punës së tij në UNMIK, në Kosovë.

Gjatë një interviste për News24, të premten, Haradinaj tha se madje shumë prej shqiptarëve të Kosovës janë gëzuar kur kanë marrë vesh që një shqiptar është pjesë e UNMIK-ut:

“T’ju them të drejtën nuk kam dijeni për ndonjë angazhim kundër çfarëdo vlere të Kosovës të Bashës. 

Ne jemi gëzuar kur kemi një parë një shqiptar duke punuar në UNMIK, se aty ka pas rusë, kinezë, të Afrikës, të gjitha vendeve, Amerikë e Evropë Po, sllavë ka pas shumë. Na ka ardh shumë mirë që edhe shqiptari ka arrit me mbërrit në UNMIK, ose në OSBE ose në këto mekanizma.”

Ai theksoi se ndihet keq kur sheh të ngrihen debate të tilla si ai i kohëve të fundit në Shqipëri për punën e Bashës në periudhën e pasluftës në Kosovë:

“Më vjen keq që po ngrihen debate të tilla, ndoshta edhe për qëllime elektorale edhe po përçahemi më shumë si shqiptarë, pa nevojë realisht edhe nuk i mendoj të dinjitetshme këto.”

Ai tha se nuk e kupton se përse po bëhet gjithë kjo zhurmë, pasi masakra si ajo e Krushës nuk mundet t’i fshehë askush:

“Nuk e kuptoj pse kaseta mund të bëhej subjekt i fshehjes. Nuk janë ngjarje që fshihen, i di e gjithë Bota se çfarë ka ndodhur në Krushë.

Pra në Washington, në Londër, në Berlin, në Beograd, në Moskë e Pekin e dinë çfarë ka ndodhur në Krushë. Krejt kjo bisedë te ju atje, i ngjan një farë konstruksioni të caktuar për konfuzion. Pra, dikush po kërkon të vendosë konfuzion te ju, nuk e kuptoj pse.

Në opinionin tuaj, se këtu është ndryshe në Kosovë. Nuk e kuptojmë këtë debat, ne nuk marrim vesh pse po ndodh te ju ky debat. Jemi krejt të hutuar me këtë debat.”

Pyetur për Milaim Bellanicës,  një shqiptar i Kosovës, i cili akuzon Bashën se ka zhdukur kasetën e regjistruar prej tij në masakrën e kryer nga serbët në Krushë të Madhe, Haradinaj tha se nuk e njeh:

“As nuk e di kush është, as kam dëgjuar për të. Në jetën time nuk e di kush është. Mund ai të më ketë takuar mua, por mua nuk më kujtohet ose nuk e di.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>