Kryeministri në ikje i Kosovës Ramush Haradinaj akuzoi sërish ashpër Kryeministrin Rama. Ai tha për të disatën herë se Rama ka punuar dhe lobuar pro ndarjes dhe shkëmbimit të terriotereve mes Kosovës e Serbisë, të njëjtat akuza për të cilat Rama e paditi Haradinajn për shpifje.
I ftuar dje tek emisioni Open në Top Channel, Zoti Haradinaj u shpreh:
“Ai [Rama] ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës.”
Zoti Haradinaj theksoi se kryeministri Rama i ka sulmuar liderët e Kosovës dhe në takime me ndërkombëtarët duke treguar ndasi mes Shqipërisë e Kosovës:
“A ju duket mirë ju që Rama në takime me ndërkombëtarët ka sharë liderat kosovarë duke e quajtur njërin gënjeshtar, njërin hipokrit dhe njërin neo-marksist?!”
Padinë e Ramës ndaj Haradinajt, ky i fundit e quajti ‘një akt të turpshëm’.
Dyshimet se Rama e Vuçiç kanë ideuar dhe mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, Zoti Haradinaj i ka bërë publike që në maj 2019.
Pyetur nga gazetarja Eni Vasili për qeverinë e re në Kosovë dhe nëse Haradinaj do të ishte pjesë e koalicionit qeverisës, ai tha se:
“Në qoftë se do të kemi një ftesë nga LDK-ja unë do i përgjigjem pozitivisht ftesës përtë biseduar. Por duhet thënë se ka gjasa që qeveria të formohet. Vetëvendosja dhe LDK-ja e kanë shumicën dhe mund ta formojnë qeverinë.”
Pyetjes nëse vendosja e taksës 100 përqind mbi produktet serbe ka ndikuar në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe Gjermaninë, Haradinaj u përgjigj se:
“Jo nuk ka sjell asnjë pasojë. Sot ne kemi bashkëpunime në aspektin e sigurisë me SHBA-të. Kemi 1 mijë herë marrëdhënie më të mira me Gjermaninë.”
Ndër të tjera, kryeministri i Kosovës tha se rreth 150 shqiptarë të Kosovës kanë humbur jetën në luftën në Siri. Ai u shpreh se qendrimi i tij kundër shkuarjes në luftë në Siri e ka penalizuar në zgjedhje:
“Kam qenë kundër shkuarjes në luftë në Siri të Kosovarëve. Aty kam humbur vota se u keqkuptova nga besimtarët e devotshëm. Sot unë i kam kthyer të gjithë ato gra e fëmijë nga Siria. Kanë vdekur 150 kosovarë atje dhe askush nuk mban përgjegjësi. Unë nuk jam ai politikani që e harxhon kohën në media dhe pasurinë e hedh në biznese se kështu do i kisha fituar 30 përqind.”