Heshtja për akuzat e Manjanit

Nga Desada Metaj

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga deklaratat e forta të ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, jehona e tyre vazhdon të mbetet vetëm në shtyp, debate publike apo rrjete sociale.

Qeveria shqiptare dhe kryeministri vetëm kanë heshtur duke vijuar programin e daljeve televizive sikur nuk ka ndodhur asgjë. Një ditë më parë, ndërsa ishte ende ministër, në një rast të paprecedent Ylli Manjani ka lëshuar akuza të drejtëpërdrejta për qeverinë dhe drejtuesin e saj, akuza këto që kaluan krejt në heshtje, a thua se vinin nga një media periferike apo një qytetar anonim.

Ndonëse një pjesë e mirë e vëmendjes u përqëndrua tek “dashnoret e ministrave”, në fakt të rënda janë faktet e renditura për mënyrën sesi funksionon Këshilli i Ministrave.

1.Kryeministri firmos vendime qeverie që nuk kanë ndodhur. Çfarë quhet kjo?”, – a mund të qëndrojë pa përgjigje kjo akuzë ndërkohë që nëse kjo ka ndodhur realisht është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe penalizimet janë të rënda?

2. A i kanë kërkuar vërtet shërbimet e huaja kryeministrit të shkarkojë ministrin e Brendshëm? Nëse jo, atëherë Rama na detyrohet një shpjegim pse një akuzë e tillë vjen nga një anëtar i kabinetit.

3. A ushtrohet presion ndaj gjykatësve për vendime? “Llokma e korrupsionit ndahet në Qeveri, në gjykatë ndahet bakshishi. Dhe nëse qeveria ka ndarë një llokmë të madhe, atëherë bakshishi në gjykatë do të jetë i madh” – deklaron ish-ministri, ndërkohë që dhe për këtë kryeministri na detyrohet një shpjegim.

LEXO  Rama takohet me kryeministrin grek për çështjen e kufirit detar

Publikut nuk i intereson shumë se kush merret me çështjet e daljeve publike në qeveri, kush jep leje që ministrat të dalin në TV. Ky është luks i madh për kushtet e Shqipërisë, por shqiptarët, ata që e kanë votuar ose jo Edi Ramën, kanë të drejtën e madhe të dinë a janë të vërteta këto akuza?

A qëndrojnë deklaratat e ish-ministrit?

Sepse, nëse median e etiketon “kazan mediatik” nuk mund t’i përgjigjesh një ish bashkëpunëtori me fjali “merr raport mjekësor” kur nuk të vinë për mbarë deklaratat e tij.

Ky është një qëndrim jo serioz i një qeverie që përpos të gjithave na detyrohet një shpjegim. Dhe këtë nuk mund ta bëjnë të deleguar dhe bufonë me fjali në statuse Facebook-u, por duhet ta bëjë zyrtarisht qeveria shqiptare. Akuzat ndaj së cilës ishin të qarta dhe të drejtëpërdrejta.

Lajme te ngjashme