Hilton Garden Inn hyn në tregun shqiptar—Veliaj nuk i reziston dot gënjeshtrave për të marrë meritat

Hilton Garden Inn hyn në tregun shqiptar—Veliaj nuk i reziston dot gënjeshtrave për të marrë meritat

Hilton Garden Inn do të menaxhojë nën emrin e tij një hotel në Tiranë, i cili ka filluar të shërbejë prej dy javësh. Ceremonia zyrtare e përurimit do të zhvillohet në datën 26 shtator.

Ndërtimi i hotelit, i cili ndodhet në Bulevardin Gjergj Fishta, pranë pallatit me Shigjeta, ka kushtuar rreth €19 milionë, i gjithë investim shqiptar, kryesisht i sipërmarrësit shqiptar Ali Selmani. Në vitin 2014, Selami arriti një marrëveshje shumëvjeçare menaxhimi me grupin Hilton Garden Inn.

Pas largimit të Sheratonit, Hilton Garden Inn do të jetë e vetmja markë e njohur perëndimore e pranishme në Shqipëri dhe, së bashku me Rogner Hotel Europapark janë të vetmet hotele me menaxhim të huaj në Shqipëri—Ndryshe nga Hilton Gardden Inn, Rogner është edhe në pronësi të huaj. Hoteli do t’i shërbejë klientëve të nivelit të mesëm—dhomat e hotelit do të kushtojnë nga 100 deri në 160 euro nata.

Ky është një zhvillim shumë i mirë për kryeqytetin dhe për industrinë e turizmit dhe marrëdhëniet me jashtë. Është, gjithashtu, një prani që do të përmirësojë imazhin e Shqipërisë në lidhje me investimet e huaja.

Mbi të gjitha është sukses i sipërmarrjes shqiptare që ka arritur në mënyrë tërësisht private, pa asnjë ndihmë qeveritare dhe shtetërore, që të sjellë një kompani të rëndësishme të hotelerisë botërore—Sheraton erdhi në Shqipëri prej një nga bizneset më të në botë, Al-Kharafi Group dhe me mbështetje dhe lehtësira direkte nga qeveria shqiptare, por u largua në fillim të vitit 2018.

Por në vend të përgëzojë dhe shprehë mirënjohje për këtë arritje të sipërmarrjes së lirë private, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka rendur sot të marrë merita personale, duke keqinformuar dhe mashtruar opinionin publik.

Bashkia e Tiranës lëshoi sot një njoftim për media, që bën të njohur se Veliaj ka vizituar hotelin. Njoftimi—i titulluar në mënyrë bombastike Gjiganti ndërkombëtar i hotelerisë Hilton hap dyert në Tiranë në 26 shtatorpretendon drejtpërdrejtë apo nënkutpon qartë se jo vetëm investimi është meritë e Veliajt, por edhe ardhja e Hiltonit është rezultat i punës së bashkisë Tiranë nën drejtimin e Veliajt.

Që në fillim të njoftimit, citohet Veliaj të jetë shprehur: “zakonisht inspektoj punët publike, por kjo ka qenë një punë e bërë në partneritet publik-privat”. Në fakt, është gënjeshtër e hapur pasi as investimi as kontrata menaxhuese me Hiltonin Garden Inn nuk kanë asnjë lloj lidhje me sektorin publik, pasi janë investime dhe marrëveshje tërësisht private, dhe nuk mund të quhen në asnjë lloj konsiderate Partneritet Publik-Privat.

Më tej në njoftim shitet sikur Hilton ka vendosur të hyjë në Tiranë për shkak të arritjeve të kryebashkiakut Veliaj në Trianë. Ky është një tjetër keqinformim, pasi fakti është se marrëveshje e Hiltonit me sipërmarrësin Selmani është arritur në vitin 2014, më shumë se një vit para se Veliaj të zgjidhej në krye të Bashkisë Tiranë.

Paragrafi i njoftimit ku Veliaj e shet ardhjen e Hiltonit si rezultat të rritjes së madhe të turistëve në Tiranë, rritje që, nëse është e vërtetë, shitet sërish si arritje e Veliajt, është një propagandë bajate dhe megallomane dhe nuk ka nevojë për koment (kujtoni sërish se Hilton e ka bërë marrëveshjen që në vitin 2014 para se Veliaj të ishte kryebashkiak):

Sipas kryebashkiakut, punët e mira të bëra në kryeqytet kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve, por edhe nevojën për më shumë punë në vijim. “Ndonjëherë bëhemi viktima të suksesit tonë. Sa më i njohur bëhet qyteti, aq më shumë turistë vijnë, aq më shumë nevojë ka për mjedise ku mund të pushojnë dhe të flenë. Them se “Hilton” na është bërë krah, pasi ka siguruar një ambient fantastik në një zonë tjetër të kryeqytetit, buzë lumit të Lanës, në një zonë totalisht të rehabilituar, për të akomoduar pafund turistë”, pohoi kreu i bashkisë së Tiranës.

Në mënyrë të rafinuar tinzare, në të gjithë njoftimin, Veliaj përpiqet që publiku të mendojë se hoteli do të jetë Hilton dhe jo Garden Inn i Hiltonit—emri i vërtetë Garden Inn nuk përmendet asnjë herë të vetme në njoftimin mbi dy faqe—në mënyrë që të ekzagjerohet rëndësia e investimit dhe hotelit. Natyrisht, njoftimi është i mbushur me mbiemravdhe ndajfoleje sipërore, pasi është e natyrshme që gjërat që bën Veliaj janë siperiore.

Siqodotë, kjo është një ditë e mirë për Shqipërinë, pavarësisht megallomanisë së zakonshme të politikës shqiptare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>