
Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti tha të dielën se në zgjedhjet e 14 shkurtit ‘është në garë me shkatërruesit e shtetit të Kosovës’. Ai u shpreh se nuk është në garë me partitë politike.
Hoti është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Gjatë një takimi me strukturat e partisë së LDK-së në Dragash, Hoti tha:
“Secilat zgjedhje i kanë specifikat e veta, por kësaj radhe ne nuk jemi në garë me konkurrentët politikë, por jemi në garë me shkatërruesit e shtetit të Kosovës.
Besoj ky mesazh duhet të shkojë në shtëpinë e secilit qytetar, pavarësisht a është votues i LDK-së apo jo. Është moment kyç për të ardhmen e vendit, për kursin kah do të shkojë Kosova në vitet që vijnë.”
Presidentja në detyrë Vjosa Osmani vendosi datën 14 shkurt si datë për zgjedhjet.
Deri më tani, përveç LDK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidatin e saj për kryeministër, i cili është Enver Hoxhaj. Partitë e tjera nuk i kanë shpallur ende kandidatët e tyre për kryeministër.