
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Enver Hoxhaj tha të enjten se është në rrezik zhbërja e shtetit. Sipas tij vetëm PDk mund ta ndalë këtë.
Në një takim me Këshillin e Përgjithshëm dhe strukturat tjera të partisë, Hoxhaj mori mbështetjen për kandidaturën si kryeministër.
“Në këtë gjendje të krijuar, vetëm PDK-ja është garancë e fortë që do të ndalë zhbërjen. Dhe PDK-ja do ta bëjë këtë”, tha Hoxhaj.
Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili u shpreh se viti 2020 ka qenë një ndër vitet më të vështira për vendin. Sipas tij kjo edhe për shkak të mungesës së liderëve të UÇK-së dhe PDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi, të mërkurën, se Avdullah Hoti është kandidati i tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.