Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi akuzoi të hënën kryeministrin Rama se hesht për dështimin e negociatave me Greqinë për çështjen e detit.
Në një intervistë në News24, Idrizi tha se dekreti i Greqisë për të zgjeruar ujërat territorial prek interesat e Shqipërisë, të cilat Rama nuk i ka mbrojtur:
“Zgjerimi me 12 milje që prek interesat shqiptare, dhe jo vetëm edhe zonën ekonomike. Ajo që të vjen keq është se përveç heshtjes, kryeministri iu drejtua duke u munduar të justifikojë këtë akt të njëanshëm të Greqisë që prek interesin territorial dhe ekonomik të Shqipërisë. Shqipëria jo vetëm e ka ditur, por dha një miratim të heshtur.”
Idrizi akuzoi Ramën se po e justifikon vendimin e Greqisë:
“Ka dashur ta justifikojë Greqinë. Fillimisht tha se nuk e ka me ne. Pastaj tha që e ka të drejtën e saj, duke na përmenduar edhe Konventën. Më pas na thanë që do e çojnë në Hagë.”
Lidhur me dërgimin e çështjes në Hagë, Idrizi tha se kjo nuk është ide e mirë, pasi Greqia është shumë e fuqishme se Shqipëria dhe ka lobim më të fortë:
“Nuk është zgjidhja më e mire… Kush na garanton ne për Gjykatën e Hagës?! Greqia është shumë më e fortë dhe lobuese. Shqipëria nuk ka shanse të gjejë barazi aty në Gjykatën e Hagës.”
Më herët PDIU i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama sqarime në lidhje me ndonjë marrëveshje të mundshme me kryeministrin grek Mitsotakis për zgjerimin e ujërave territorial të Greqisë.
PDIU akuzoi Ramën se gjatë gjithë kësaj kohe ‘ka justifikuar pretendimet e palës greke’ për zgjerimin e ujërave territorial.
Dekreti i miratuar të premten nga Këshilli i shtetit grek i jep të drejtë Greqisë të hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit. Ky vendim vjen pas dy muajsh ku u njoftua se marrëveshja e detit do të zgjidhej nga drejtësisa ndërkombëtare.
Me 20 tetor, kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për 12 miljet detare do të shqyrtohet nga gjykata ndërkombëtare në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.
Për të lexuar më shumë rreth kufirit detar me Greqinë klikoni këtu.