Iluzioni i transparencës

Nga Arta Rama
Iluzioni i transparencës

Kur nisa të interesohesha për të siguruar dosjen e plotë të inceneratorit të Elbasanit, një koncension me procedura të paligjshme dhe me shkelje të mëdha, isha i vetëdijshëm për vështirësitë dhe i pasigurt për përfundimet e hulumtimit. Por, e papritura me të cilën u përballa dhe që rezulton jashtëzakonisht shqetësuese ende dhe sot, dhjetë muaj më pas, ishte mosdhënia e dosjes prej autoriteteve, por pa e refuzuar kërkesën për marrjen e saj.

Ndonëse vendimmarrja për ndërtimin e këtij impianti dhe nënshkrimi i kontratës përfundoi në 2014-n, ndërkohë që zbatimi i kontratës pritet të përfundojë në pak muaj, tre ministri bashkuan forcat, për të mos lejuar që publiku të njihet me dokumentet që bënë të mundur dhënien dhe ndërtimin e të parit incenerator të mbetjeve në Shqipëri.

Fatmirësisht, hulumtimi për inceneratorin përfundoi dhe rezultatet, më në fund, u bënë publike. Por, kërkimi i pandërprerë për gjetjen e dokumenteve, përballë manovrave të autoritetit shtetëror për bllokimin e tyre, meriton, sidoqoftë një ndalesë, për të kuptuar si dhe përse një qeveri kërkon, paradoksalisht, të mbulojë gjurmët e vendimmarrjes, përmes mbulimit të dokumentacionit, i paracaktuar për të qenë publik.

Në përpjekje për një raportim më të thelluar, lidhur me marrëveshjen koncesionare mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit dhe kompanisë “Albtek Energy” për ndërtimin e inceneratorit, iu drejtova, në maj të 2020-s, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe i kërkova disa të dhëna shkresore nga dosja në fjalë. Ministria vonoi të përgjigjej përtej afatit dhjetëditor, të përcaktuar në Ligjin “Për të Drejtën për Informim”.

Më pas refuzoi, duke aplikuar klauzolat kufizuese, të parashikuara në nenin 17 të ligjit, me argumentin se dosja ndodhej nën hetim, për shkak të një inspektimi financiar rutinë, që po kryhej prej një ekipi auditi nga Ministria e Financave. Iu drejtova Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM) me një kërkesë të ngjashme.

Në arkivat e saj, qysh prej 2014-s, ndodhej një kopje e plotë e dosjes së koncesionit të inceneratorit të Elbasanit, pasi kjo ministri kishte qenë në rolin e autoritetit kontraktor (dosja u transferua në Ministrinë e Energjisë në 2017-n). MTM-ja refuzoi të përgjigjej.

Paraqita një ankesë te Komisioneri për të Drejtën për Informim (KDI), i cili e vlerësoi informacionin e kërkuar si informacion publik dhe i sugjeroi ministrisë dhënien e tij brenda një afati. Por, kaluan dy javë dhe ministria refuzoi përsëri. Shkak për mosdhënien e informacionit, ishte inspektimi që po kryhej në një tjetër ministri, e njëjta që kishte refuzuar dhënien, dy muaj më parë.

Pra, i njëjti mekanizëm bllokues po përdorej edhe në këtë rast. Por, MTM-ja ishte një autoritet tjetër dhe aspak objekt inspektimi. Ekipi inspektorëve po punonte në një tjetër ministri dhe procedurat e zhvilluara në një autoritet tjetër, nuk mund të ndikonin në punën e tyre, aq më tepër, kur në këtë kohë inspektimi kishte përfunduar. Por këto argumenta nuk u morën parasysh.

MTM-ja ishte e vendosur në mosdhënien e dokumenteve. Pritej vendimi nga Komisioneri për të Drejtën për Informim (KDI). Ankesa ishte dorëzuar qysh në 15 gusht.

Vendimi u dha pas më shumë se një muaji, në 24 shtator 2020. Komisioneri urdhëroi vënien në dispozicion të informacionit, brenda datës 2 tetor. U duk sikur problemi mori zgjidhje. Por, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit kishte të tjera plane.

Është fakt se vendimet e Komisionerit nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar prej autoritetet publike, nëse këto të fundit, i drejtohen më parë gjykatës. Pikërisht, në 2 tetor, Ministria paditi vendimin në Gjykatën Administrative të Tiranës. Kësisoj, urdhri i Komisionerit nuk mund të ekzekutohej, pa një vendim të formës së prerë nga gjykata; një vendim, i cili edhe nëse shkonte në favor të dhënies, nuk mund të ekzekutohej pa kaluar një periudhë disavjeçare*.

Çka e bënte edhe më të pazakontë këtë situatë, ishte fakti se kërkesë-padia u depozitua në gjykatë nga “koordinatori i të drejtës për informim”, një nëpunës, puna e të cilit garanton të drejtën e informimit, por jo dorëzimin e padive kundër vendimeve të eprorit të tij, Komisionerit për të Drejtën për Informim.

Iu drejtova Zyrës së Komisionerit për të mësuar nëse kishte autorizuar kjo zyrë një veprim të tillë, por Zyra nuk reagoi.

Po ndërkohë, në gusht, kisha dërguar një tjetër kërkesë, këtë radhë në Ministrinë e Financave. Të dhënat e mia faktonin se inspektimi, i njëjti që dy ministritë po e përdornin si alibi refuzimi, kishte përfunduar në korrik. Përderisa kushti i bllokimit kishte rënë, MIE dhe MTM-ja mund “të dorëzoheshin” më lehtë. Ndaj kërkova një kopje të plotë të raportit. Por, dhe Financat e refuzuan dhënien, pa e arsyetuar vendimin. Sidoqoftë u kuptua se Inspektimi kishte përfunduar. Madje, sipas një burimi në Drejtorinë e Inspektimit Financiar, pritej vetëm nënshkrimi nga titullari (Ministri).

Më pas, një përmbledhje ekzekutive duhej të publikohej online. Dosja e inceneratorit duhej dhënë, pasi nuk ekzistonte më, asnjë shkak refuzimi. Akoma më shumë, dokumentet e kërkuara u referoheshin procedurave publike të tenderimit. Ishte ky momenti, kur iu riktheva të dy ministrive: Energjisë dhe Mjedisit.

Në 19 tetor, depozitova një kërkesë të re, në secilën prej tyre, përkatësisht për urdhrin e prokurimit dhe studimin e fizibilitetit. Në përfundim të afatit për dhënien e një përgjigjeje, nuk u përgjigj askush. Të nesërmen, depozitova ankesat në Zyrën e Komisionerit.

Reagimi i parë erdhi nga Energjia, e cila sugjeronte që informacioni të merrej te Mjedisi, pasi ishte ky autoritet i cili e kishte prodhuar informacionin e kërkuar (studimi i fizibilitetit). Duhet theksuar, se ligji për të drejtën për informim, u saktëson autoriteteve publike, se nuk ka rëndësi, nëse janë apo jo, prodhues të informacionit të kërkuar. Nëse e kanë, duhet ta japin! Por Ministria e Energjisë nuk e dha. Të njëjtin qëndrim refuzues, mbajti edhe ministria tjetër, Mjedisi, lidhur me kërkesën për urdhrin e prokurimit. Kësaj të fundit, Komisioneri i dha disa ditë kohë për dhënien e një përgjigjeje, por ajo refuzoi përsëri. Komisioneri nuk vendosi asnjë sanksion, por caktoi zhvillimin e një seance dëgjimore, duke i dhënë edhe më shumë kohë refuzuesit.

Vlen për t’u theksuar se zbatimi i procedurës për zhvillimin e një seance dëgjimore është i ligjshëm, por mbajtja e saj kryhet në raste të pazakonta, ose komplekse. Ndërkohë, që bëhej fjalë vetëm për një urdhër prokurimi, një dokument, pjesë e procedurave tenderuese, të cilat duhej të ishin publike e jo objekt seancash dëgjimore.

Kaluan tre javë dhe asnjë përgjigje. Ligjërisht, kjo ishte koha, brenda së cilës Komisioneri duhej që të merrte vendim. Elementi kohë ishte një prej mekanizmave më të fuqishëm të Ligjit “Për të Drejtën për Informim”, i cili e kishte reduktuar në 10 ditë dhënien e një përgjigje dhe në 15, dhënien e një vendimi.

Në fakt, Zyra e Komisionerit më informoi se ankesa po shqyrtohej në përputhje me afatet e caktuara në Kodin e Procedurave Administrative. Procedurat administrative i japin një kohë më të madhe shqyrtimit administrativ të ankesave. Kjo mënyrë favorizonte refuzuesit, por jo gazetarët.

Në përpjekje për ta kthyer kohën në favorin tim, vendosa t’u nis një kërkesë të re (përsëri dokumente nga dosja e inceneratorit), dy autoriteteve: Energjisë dhe Mjedisit, duke shpresuar se në Ministrinë e Financave, raporti inspektimit, e vetmja pengesë e pretenduar deri tani, mund të publikohej nga çasti në çast. Në këtë mënyrë, edhe kërkesat e reja mund të pranoheshin më lehtë.

LEXO  Autostrada Tiranë-Durrës, hiqen palmat që kushtuan 600 mijë euro

Por në 21 nëntor u shfaq një pengesë e re. Ministria e Mjedisit njoftoi se e gjithë dosja e inceneratorit i ishte dorëzuar Prokurorisë së Posaçme dhe se çështja ndodhej nën hetim. Tre ditë më pas, edhe Ministria e Energjisë përdori të njëjtin argument, duke justifikuar mosdhënien me çeljen e hetimeve prej Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Prokuroria kishte kërkuar dosjen e inceneratorit të Elbasanit, qysh në datën 23 tetor. Një muaj më pas, të dy autoritetet po e justifikonin mos dhënien e informacionit, me kërkesën e prokurorisë për kryerjen e verifikimeve. Tani, e vetmja mbështetje mbetej Komisioneri.

Zyra e Komisionerit reagoi në 2 dhjetor, përmes dy rekomandimeve, nga një për secilin autoritet, por sidoqoftë, të ngjashme në arsyetim. Zyra e Komisionerit konstatoi se dhënia e informacionit duhej kufizuar, për shkak të zhvillimit të hetimeve që po kryeshin nga SPAK. Më tej, ai i rekommandoi autoriteteve publike dhënien e informacionit të kërkuar, vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave hetimore.

Për një qytetar të zakonshëm, veprimi i Zyrës të Komisionerit mund të duket një gjykim i logjikshëm dhe ndonëse jo favorizues, qytetari duhet t’i nënshtrohet. Por për një gazetar, puna e të cilit mbështetet në verifikimin dhe kontrollin e të dhënave, dyshimi është detyrë. Refuzimi i paligjshëm ndaj aksesit për informacion, mund të këqyret lehtësisht e me pak përpjekje, por kufiri që ndan një sjellje të qëllimshme me një sjellje jo profesionale, jo gjithmonë duket qartë…

Zyra e Komisionerit përdori nenin 17 të ligjit për të drejtën për informim, që mban titullin “Kufizime”. Do ndaloj pak këtu. Në parim, i tërë informacioni i autoritetit shtetëror i përket publikut. Kufizimet aplikohen rast pas rasti dhe duhet të përcaktohen qartësisht.

Në Ligjin “Për të Drejtën për Informim”, e drejta e informimit kufizohet në mënyrë kushtore: “…në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë e të rëndë”. Pra, kufizimi nuk mund të jetë hipotetik, por i arsyetuar. Komisioneri nuk arsyetoi, por kufizoi a priori në kurriz të transparencës, në favor të bllokimit. Të njëjtin fat pësuan edhe dy kërkesat e tjera, të cilat u kufizuan në mënyrë të ngjashme.

Problemi tjetër ishte mosdalja e Komisionerit me vendim. Ai dha dy rekomandime. Por në Ligjin “Për të Drejtën për Informim”(LDI), dhënia e transparencës sigurohet prej vendimeve, jo prej rekomandimeve. Rekomandimi nuk përmendet në LDI, aspak! Dhënia e tyre është një “shpikje”, e cila në rastin më të mirë, mund t’i drejtohet autoriteteve publike, por jo qytetarëve.

Nga ana tjetër, në një praktikë më të gjerë, Komisioneri shfrytëzon parashikimin ligjor, se në mbarim të afatit (nëse Komisioneri nuk merr një vendim), ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës (§6, neni 24). Por, një vendim i Gjykatës Administrative vitin e shkuar, arsyetoi se “…kjo duhet parë si një mundësi më shumë për qytetarin, e jo si një e drejtë e organit publik për të mos ushtruar përgjegjësitë ligjore të përcaktuara”. Pra, Gjykata këshillonte daljen me vendime e jo dhënien e rekomandimeve.

Kishin kaluar tetë muaj nga kërkesa e parë, por ende nuk ishte dhënë asnjë informacion. Koordinatorët vononin me javë të më përgjigjeshin, duke i justifikuar vonesat, më së shumti, prej pritjes së konfirmimit hierarkik. Por, në një prej përgjigjeve refuzuese, u pa se komunikimi mes koordinatorëve, të Energjisë dhe të Mjedisit, zgjati vetëm tri minuta; tri minuta, të mjaftueshme për të kuptuar pyetjen, për të konceptuar përgjigjen, madje edhe për ta konfirmuar hierarkisht. Përkushtimi i nëpunësit mund të merrte vlerësimin e merituar, nëse në këtë rast, ritmi i komunikimeve do t’i shërbente dhënies së informacionit. Por fatkeqsisht, i tërë nxitimi shërbeu për bllokimin e kërkesës.

I kërkova Zyrës së Komisionerit komunikimet me SPAK, mbi verifikimet e kryera gjatë inspektimit të autoriteteve, përpara dhënies së rekomandimeve, ndërsa Prokurorisë së Posaçme, të dhëna plotësuese mbi hetimet ndaj inceneratorëve.

Zyra e Komisionerit ktheu përgjigje të pjesshme. Ajo e kufizoi informacionin, duke anonimizuar përgjigjen që i kishte kthyer Prokuroria e Posaçme (Zyra e Komisionerit përdori fjalën anonimizim). Ndonëse termi “anonimizim” lidhet me mospublikimin e të dhënave personale, ose sensitive, bëhej fjalë për fshirjen e më shumë se gjysmës së komunikimit. Ligji për të drejtën për informim parashikon (§6, neni 17) se gjatë aplikimit të kufizimeve, “Autoriteti publik tregon qartë pjesët e dokumentacionit përkatës që janë refuzuar…”. Paraqita një tjetër ankesë te Komisioneri, disi e pazakontë, pasi i drejtohej atij vetë dhe i kërkova të zbulonte gjysmën e fshehur të komunikimit. Por Zyra heshti!

Ndërkohë, SPAK pohoi se në vjeshtën e 2020-s, Prokuroria kishte filluar procedimet penale në lidhje me kontratat koncesionare të inceneratorëve të Elbasanit, Fierit e Tiranës dhe se, që të treja procedimet ndodheshin në fazën e hetimeve paraprake. Por natyrisht, unë synoja diçka tjetër që kishte të bënte me bllokimin e aksesit për informacion, për shkak të këtyre hetimeve, – i njëjti qëndrim i përbashkët i tre ministrive, prej tetë muajsh.

Në 7 janar 2021, iu drejtova Drejtorit të Prokurorisë së Posaçme me një pyetje të drejtpërdrejtë: “A përbëjnë dokumentet që unë kam kërkuar prej autoriteteve, sekret hetimor?”. Brenda ditës erdhi përgjigjja: “Prokuroria ka administruar kopje të këtyre akteve për nevojë të hetimit…Lidhur me aktet që ju interesoheni, ato janë krijuar nga Ministria e Mjedisit dhe është ajo që vendos, nëse përbëjnë, apo jo, sekret”. Pra SPAK, organi i posaçëm hetimor, nuk shqetësohej nga publikimi i këtyre dokumenteve.

Po cilin dëmton publikimi i dosjes së inceneratorit? Natyrisht, shkrimi “Emergjenca nuk ekziston” iu përgjigj, ndër të tjera edhe kësaj pyetje. Por këtë radhë, ne synojmë diçka tjetër.

Për aq kohë sa transparenca konsiderohet demokratike, asnjë qeveri nuk mund ta pengojë haptas atë, por në pamundësi për ta garantuar transparencën, ajo do të përpiqet që ta fshehë mungesën e saj. Ndaj dhe refuzimi ka nevojë të mbulohet nga velloja e iluzionit se transparenca ekziston. Dhe nuk ka mënyrë më të suksesshme për ta penguar informacionin, sesa përdorimi i mekanizmave të krijuara për promovimin e tij. Është mirë kur media flet për iluzionin e jo për transparencën, sikundër ky shkrim synon: zhbërjen e iluzionit.

Të dyja nuk mund të ekzistojnë së bashku.

 

* Ndërkohë që po shkruhej ky shkrim, kërkesa e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të mos lejuar publikimin e dosjes së inceneratorit u rrëzua nga Gjykata Administrative. Por çështja do të kundërshtohet në Apel dhe vendimi do të marrë edhe disa vite kohë. Kundërshtimi i vendimeve është pjesë e një praktike të hershme institucionale që nuk përjashton, as konfliktin mes dy autoriteteve qëndore të shtetit, pavarësisht cilësisë së argumenteve ligjore, apo interesin e kujt mbrojnë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>