Në rast të shpërthimit të një vale të dytë infektimi me Covid-19, qeveria ka gati spitalin e ri Covid-4.
Që prej marsit, nisi puna për përshtatjen në spital të godinës së ish-universitetit Kristal, në autostradën Tiranë-Durrës. Ndërsa të martën, 2 qershor, Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Manastirliu inaguruan spitalin.
Ai ka kapacitet prej 100 shtretërish. Në të do të vendosen pacientët me Covid-19 pas trajtimit tek spitali Infektiv deri në shërimin e plotë nga virusi.
Rama tha se ky spital do të duhet nëse virusi shpërhapet sërish në vjeshtë dhe ‘nëse përballemi me flukse që i kalojnë kapacitetet e spitaleve që kemi.”
Ministrja Manastirliu theksoi se tani me spitalin e ri, spitalin Infektiv dhe Sanatoriumin ka 500 shtretër në dispozicion në rast të përkeqësimit të situatës.
Kati i parë i spitalit karantinë do të shërbejë si ambient për veshjet e personelit dhe reanimacion për shërbimet bazë, ndeërsa katet e tjera do të kenë dhoma për pacientët.
Çdo kat do ketë një strukturë infermierie, një farmaci, një depozitim të vendosjes së mbetjeve spitalore, një imazheri dhe laborator bazë.
Në disa ambiente do të bëhen edhe instalimet e nevojshme të oksigjenit.