Inceneratori i mbetjeve në Tiranë — koncesioni korruptiv i radhës

Inceneratori i mbetjeve në Tiranë — koncesioni korruptiv i radhës

Qeveria Rama ka vendosur të ndërtojë një incinerator – impiant djegieje – të plehrave për territorin e Qarkut Tiranë, duke përdorur sërish një skemë të Partneritetit Publik Privat (PPP).

Kompania “Integrated Energy B.V.” është kompania e preferuar e qeverisë për fitim e koncesionit 30 – vjeçar të radhës me vlerë 140 milionë euro.

Në Maj 2016, përpara se ajo të regjistrohej zyrtarisht si kompani në Hollandë, Integrated Energy paraqiti propozimin e pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit. Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të filloi procedurat e tenderimit për këtë projekt.

Me datë 7 dhjetor 2016, qeveria miratoi një vendim, i cili i jep kompanisë një bonus prej tetë përqind të pikëve në procedurën e konkurrimit. Ky vendim e favorizon kompaninë në krahasim me kompanitë e tjera të cilat mund të marrin pjesë në konkurrim.

Sipas relacionit të Ministrisë së Mjedisit, i cili shoqëron vendimin e mësipërm, del qartë se kompania private do të ofrojë një shërbim për qytetarët, për të cilin do të paguhet direkt nga shteti, nëpërmjet shitjes së energjisë së prodhuar nga plehrat tek KESH, shitjes së materialeve të riciklueshme dhe pagesës direkt me tarifa ende të papërcaktuar nga bashkitë që pjesë e qarkut Tiranë.

Në VKM sqarohet se:

Duke qenë se kemi të bëjmë me një akt me karakter individual dhe është një projektvendim dhe jo ligj, propozimi nuk ka kaluar përmes procesit të konsultimit me publikun.

Mesa duket qeveria ka gjetur një mënyrë të re për ta mbajtur të fshehtë projektin dhe për të shmangur dëgjesat me publikun, i cili është një detyrim ligjor që buron nga konventa Aarhus për planet ose projektet që kanë ndikim në mjedis.

Kompania Integrated Energy B.V.”?

Kompania e favorizuar për ndërtimin dhe shfrytëzimit të impiantitIntegrated Energy B.V.” është e regjistruar në Hollandë më 9 gusht 2016. Objekti i punës së saj është “zhvillimi i çdo lloj aktiviteti në fushën e përpunimit të mbetjeve, prodhimit të energjisë dhe aktivitet të njëjta, si vendore dhe financiare, si dhe mirëmbajtja dhe financimi i aktiviteteve”.

kompania-integrated-energy

Exit.al ka kontaktuar në numrin e shënuar në dokumentet e regjistrimit të kompanisë, i cili është në fakt numri i kompanisë së punësuar për administrimin e kompanisë “Integrated Energy  B.V”, FGG. Në përgjigjen për kërkesën tonë për informacion, kompania FGG mohoi se “Integrated Energy  B.V” ishte klient i saj.

Kapitali fillestar i kompanisë “Integrated Energy  B.V” që pretendohet të investojë 140 milionë euro, është vetëm 50 mijë euro dhe nuk ka asnjë person të punësuar. Në bordin drejtues të saj bëjnë pjesë Klodian Zoto, pronari i kompanisë dhe partneri i tij në biznes Ernesto Granelli, inxhinier në kompaninë Energy Recuperator Spa.

Klodian Zoto është pronari i kompanisë Integrated Technology Services, e cila do të ndërtojë një incenerator mbetjesh në Fier, pavarësish protestave të banorëve dhe mungesës së konsultimeve me publikun për projektin.

Në bordin drejtues të kompanisë është edhe Thomas Walter Hansmann, drejtor i Paul Wurth India Private Ltd., Hans Wallage, përfaqësuesi i ANT Managment, kompani e specializuar në ndërtimin e strukturave që mund të përdoren për fshehjen e evazionit fiskal.

Për të përfunduar me emrat e Theo Spijkerman dhe Arnaud van der Werf, të dy punojnë për SGG Group, një kompani e cila ofron shërbime financiare në shumë vende të botës e specializuar në ndërtimin e trusteve, shpesh të përdorura për evazion fiskal.

Në dhjetor të viti 2014, Zyra e Hetimit për Mashtrime Financiare në Mbretërinë e Bashkuar (SFO) filloi një hetim për SGG Group, pasi “ka shitur investimet e supozuara në një kompani të prodhimit të karburantit të gjelbër nga plantacione pemësh në Kamboxhia […] vlera e përgjithshme ishte rreth 23 milionë paund.”

Përveç mashtrimit, SFO zbuloi edhe se një nga drejtorët e SGG Group ka marrë bakshish për të prodhuar fatura fallso shitjeje të cilat i jepnin të drejtë agjentit të merrte komisione të mëdha nga fondet e investimit. Dënimi i kompanisë SGG Group ishte i pari dënim nën ligjin mbi mashtrimet në Mbretërinë e Bashkuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>