
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili kritikoi qeverinë për mungesën e masave kundër përhapjes së Covid-19 dhe për zbatim të keq të atyre pak masave që ka marrë.
Në një intervistë për News24, ish-ministri i Shëndetësisë Vasili tha se për sa kohë numri i viktimave me Covid po rritet, masat e qeverisë janë të dështuara:
“Masat që nuk krijojnë rezultate, janë të dështuara. Numrii i vdekjeve është rritur me mbi 60 për qind. Komiteti i Ekspertëve duhet të merrte masa më të mëdha, jo të njëjta siç ishin. Kemi sistem masash të adoptuar gabim.”
Vasili përmendi rastin e Francës e Italisë, ku vendosja e kufizimeve të forta solli ulje të numrit të të infektuarve, e për pasojë dhe të viktimave.
Lidhur me akuzat e opozitës për manipulimin e numrit të viktimave me Covid-19 nga qeveria, Vasili tha se nuk mund të kalohet me deklarata politike:
“Çështja e të vdekurve nuk mund të kalohet me deklarata politike. Duhet parë mënyra si aplikohen protokollet. Të rriten vdekjet me më shumë se 60 për qind është shumë e rëndë dhe kërkon analizë të hollësishme, sepse ka të bëjë me jetë njerëzish. Është situatë shumë e rëndë në të gjithë territorin e kjo kërkon veprim të menjëhershëm.”