Ish-Sekretarja e Shtetit Albright shpreh mirënjohjen për vendet që pranuan të strehojnë afganët

Nga Exit News
Ish-Sekretarja e Shtetit Albright shpreh mirënjohjen për vendet që pranuan të strehojnë afganët

Madeleine Albright, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit gjatë presidencës Clinton, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kanadasë për vendimin e tyre për t’iu ofruar strehë afganëve.

Albright thekson se është i nevojshëm fokusi tek shpëtimi i jetës së afganëve që rrezikohen nga regjimi i talibanëve.

“Unë jam mirënjohëse ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që ofruan iu strehim aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile”, shkruan Albight në Twitter.

Madeleine Albright ishte Sekretare Shteti në SHBA nga 1997-2001 gjatë kohës së presidencës së Bill Clinton. Ajo është anëtare e bordit të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një forum me bazë në Nju Jork i cili ndikon në politikën e jashtme duke i bërë rekomandime administratës dhe komunitetit diplomatik.

Reuters ka bërë të ditur të premten se qeveria amerikane ka diskutuar me qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë për të mbajtur përkohësisht afganët që kanë punuar me dhe për qeverinë e SHBA-ve.

Qeveria shqiptare tregoi të dielën se ka pranuar të strehojë disa qindra afganë, të cilët kanë punuar për qeverinë amerikane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe një zëdhënës i qeverisë kanë konfirmuar se kanë pranuar kërkesën e SHBA-së.

Pse kërkohet mbajtja e përkohshme e afganëve në këto vende?

Qeveria amerikane ka miratuar një program të vecantë të dhënies së vizave të përhershme të qendrimit për afganët dhe irakienët që kanë punuar për dhe me qeverinë amerikane.

Për të aplikuar për këtë program personat duhet të aplikojnë në ambasadën amerikane në Afganistan, por për shkak të situatës me talibanët ata nuk mund të presin për miratimin e vizës në Afganistan.

Këta duhet të aplikojnë në një ambasadë amerikane jashtë SHBA-ve. Ndaj qeveria amerikane i kërkon disa vendeve të treta të mbajnë përkohësisht afganët, të cilët do të aplikojnë në ambasadat e SHBA-ve në këto vende dhe do të qendrojnë deri në pritje të miratimit.

Procesi i miratimit të vizës mund të kërkojë deri një vit.

Të gjitha kostot e mbajtjes së afganëve do të mbulohen nga qeveria amerikane.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>