Përhapja me shpejtësi e koronavirusit në Itali ka sjellë panik tek njerëzit dhe mundësi përfitimi tek farmacitë apo dyqanet.
Një shishe dezinfektant për duart po shitet me çmim 7 deri në 10herë më të lartë se sa çmimi normal.
Mediat italiane kanë raportuar se një shishe dezinfektant duarsh 250 mililitërshe e firmës Amuchina, e cila deri para pak ditësh shitej me çmimin 7,5 euro, tani kushton 50 euro.
Një shishe një litërshe e të njëjtin produkt u shit online për 799 euro.
Këto produkte reklamohen online si produket specifike të krijuara për të të mbrojtur kundër virusit, edhe pse ata nuk janë të tillë.
Një tjetër fenomen që mediat italiane kanë raportuar është blerja e këtyrë produkteve në sasi të madhe më parë në farmaci me çmim normal, dhe rishitja e tyre nga vetë qytetarët me çmime të shumëfishuara.
Deri më tani shoqatat e konsumatorëve në Itali kanë ngritur 104 padi në disa qytete të Italisë, për mashtrim dhe vjedhje nga shitësi tek konsumatori.
I njëjti fenomen po vihet re dhe në Shqipëri. Gazetari Blendi Fevziu raportoi dje në emisionin Opinion se një dezinfektues në sasi të vogël, që deri pak ditë më parë kushtonte 100 lekë, tani po shitet për 600 lekë.
Ndërsa Top Channel raportoi se ditët e fundit, një maskë e thjeshtë me çmim 50-100 lekë, tashmë po shitet me një çmim prej 1000 lekësh.
Prokuroria e Tiranës nisi sot hetimet për këto raste.
Higjena personale dhe përdorimi i dezinfektatëve është një masë parandaluese ndaj koronavirusit e rekomanduar dhe nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Për tu informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni këtu 9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi ,ndërsa këtu mund të lexoni disa nga këshillat bazike që çdokush duhet t’i ketë parasysh.
Po ashtu, Exit Neës është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.