Qeveria italiane ka vendosur shtyrjen e pesë ndeshjeve të Serisë A, kampionatit kryesor të sportit Italian, për shkak të shpërhapjes së koronavirusit. Mes ndeshjeve të shtyra është dhe ndeshja e rëndësishme Inter-Juventus, e planifikuar të luhej në Torino.
Ndeshjet e tjera janë Udineze – Fiorentina, Milan – Xhenoa, Parma – Spal dhe Sasuolo – Breshia.
Fillimisht u përfol se ndeshjet do të luheshin në stadiume me dyer të mbyllura, pa tifozë, por mëngjesin e sotëm u mor vendimi për shtyrjen e tyre më 13 maj.
Deri më tani, numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali ka arritur në 889 persona, ndërsa 21 persona kanë humbur jetën.
Pjesa veriore e vendit, rajonet e Lombardisë dhe Venetos, është pjesa ku ka më shumë të infektuar dhe ku institucionet kanë marrë masat më të forta si mbyllja e shkollave apo anulimi i aktiviteteve të caktuara.
Megjithatë në rajonet më pak të prekura, në qendër dhe jug të vendit, ministria e Arsimit bëri thirrje për rikthim sa më shpejt në normalitet.
Zëvendësministrja e Arsimit Anna Ascani deklaroi se “është e rëndësishme që atje ku është e mundur, jeta në shkolla të kthehet në normalitet sa më shpejt, pasi rihapja e shkollave do të thotë të garantosh të drejtën e arsimimit për fëmijët dhe adoleshentët”.