Kadri Veseli, ish-kreu i PDK-së dhe ish-drejtues në UÇK, do të dalë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të martën, në 10 nëntor, në orën 15:00.
Në njoftimin për shtypin të Hagës, thuhet se:
“Aktakuza e ngarkon Kadri Veselin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.
Paraqitja e parë e Kadri Veselit do të mbahet në seancë publike.
Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij.”
Prokuroria konfirmoi aktakuzën ndaj Veselit në 4 nëntor.
Veseli, bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi, akuzohen se janë përgjegjës për rreth 100 vrasje të civilëve gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës.
Krimet mbi të cilat janë ngritur akuzat përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh të Kosovës, përfshirë dhe kundërshtarë politikë të tyre.
Kadri Veseli, përmes një deklarate për shtyp në 5 nëntor, tha se do të tërhiqet nga drejtimi i PDK-së dhe çdo aktivitet tjetër politik e publik deri në përfundimin e procesit të tij në Hagë.
Ai theksoi se i vlerëson hetimet e Hagës dhe se i sheh ‘si mundësi që më në fund t’i përgjigjen dyshimeve e thashethemeve që kanë qarkulluar për një kohë të gjatë.’
“Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces”, u shpreh Veseli.
Veseli u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe udhëtoi drejt Hagës në po të njëjtën ditë.