Në maj, pak javë para zgjedhjeve, Kryeministri Rama deklaroi se kujtdo që ‘prek’ zgjedhjet do t’i ndalohet përjetësisht hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian:
“Kush i afrohet një qendre votimi, djeg veten, jo zgjedhjet. Sa më shumë të informohen për Kodin Penal, kupton që nuk ia vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme, që të nxit të shkosh me këmbët e tua në burg, të dënuar për krime zgjedhore dhe që u hiqet e drejta për hyrje në SHBA dhe BE. Nuk dua t’ia shoh asnjë shqiptari këtë qeder, dhe të mbetet tërë jetën pa hyrë në BE dhe SHBA, se shkoi e vajti pas udhëheqjes, që kërkon ta bëjë përshesh Shqipërinë.”
Ky kërcënim i drejtohej qartësisht opozitës, e cila pas dekretit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, filloi të artikulonte idenë se me 30 qershor mund të kishte përplasje. Kërcënimi ishte i pabazuar, pasi Kodi Penal nuk parashikon asnjë dënim që ndalon qytetarët të largohen nga vendi.
Ndaj është ironike fakti që nuk ishin qytetarët shqiptar që mbronin të drejtën e votës ata që iu hoq e drejta për të udhëtuar në SHBA, por ishte i besuari i Ramës, ish kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako, ai që i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, “për shkak të përfshirjes në korrupsione madhore”.
Në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Dako është ende i lirë, pasi çështja e tij po zvarritet nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Megjithatë që prej nëntorit 2017, në media janë publikuar denoncime dhe audio-përgjime që lidhnin Dako me një prej bandave kryesore në Shqipëri, bandën e Avdylajve.
Në janar 2019, u vërtetua që Dako ishte përfshirë personalisht me blerjen e votave dhe praktikat e frikësimit të votuesve të bandës Avdylaj, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-ës. Përgjime të tjera u botuan nga gazeta gjermane Bild, duke e implikuar Dakon në një rrjet të madh kriminal të ngritur nga Partia Socialiste për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2017. Asnjë nga personazhet kryesore në këto audio-përgjime nuk është arrestuar.
Si kryetar i bashkisë së Durrësit, Dako, po ashtu, ka qenë përgjegjës për shkatërrimin e trashëgimisë arkeologjike të qytetit, nën maskën e “rilindjes urbane” që ka thithur miliona euro nga buxheti i shtetit. Projekti kryesor, i quajtur Veliera, iu dha firmës së arkitektit Marco Casamonti, i cili në Itali është dënuar për mashtrim. Casamonti është ndër klientët e preferuar të kryeministrit Rama. Ai ka projektuar dhe Kullën e Falimentuar 4Evergreen dhe Arena Kombëtare në Tiranë.
Kryeministri Rama deri më tani nuk ka komentuar vendimin e Departmentit të Shtetit Amerikan për të shpallur ‘non grata’ të besuarin e tij.