Në librin “Kërpudha në fund të botës”, Anna Lowenhaupt Tsing shkruan për përdorimin e “jetëve të pakontrolluara të kërpudhave” si “udhërrëfyes, atëherë kur dështon bota e kontrolluar që mendonim se kishim”. Aftësia për t’u rimëkëmbur e rrënjëve nëntokësore të kërpudhave është në kontrast me brishtësinë e institucioneve të krijuara nga njerëzit.
Dua të përqendrohem te një tjetër lloj kërpudhe, te një kërpudhë e vetme (megjithëse jo unike), e cila nuk e ngriti kokën pas ndonjë katastrofe njerëzore, por te njëra që u kthye në simbolin e fillimit të fundit. Po flas, sigurisht, për “Kërpudhën e Trefishtë Gjigande” (Giant Triple Mushroom) të artistit belg Carsten Höller.
Gjatë protestës së opozitës më 16 shkurt, disa prej protestuesve shfrytëzuan rastin për ta rrëzuar kërpudhën shumëngjyrëshe të Höller-it, duke e zemëruar Kryeministrin, i cili i kërkoi falje publike artistit. Por, si arritëm deri këtu?
Kërpudha e Trefishtë Gjigande e Höller-it ishte një pjesë në ekspozitën e hapjes së Qendrës për Hapje dhe Dialog në vitin 2015, kur u instalua edhe instalacioni “Marquee Tirana” i Philippe Parreno-s, që zbukuron fasadën e Kryeministrisë.
Ekspozita, e cila kishte dhe fotografi nga Thomas Demand, në mënyrë të qartë kishte si temë kryesore klimën politike në Shqipëri. Kërpudha e Höllerit u shpalos si vepra “e parë” e ekspozitës, që nënkuptonte “gjeografi, kultura, si dhe gradë të ndryshme midis së ngrënshmes dhe toksikes”, që “mund të perceptohet si koment mbi politikën shqiptare”. Instalacioni mund të interpretohet dhe si ironi ndaj një tjetër “kërpudhe” në rrugët e Tiranës: monumenti “Postbllok” i Fatos Lubonjës dhe Ardian Isufit për viktimat e diktaturës komuniste. Ky monument përfshin një bunker-“kërpudhë” të vendosur në hyrje të zonës së ish-Bllokut, ku Kryeministri Edi Rama pati privilegjin të rritej gjatë diktaturës si pjesë e një familjeje të nomenklaturës.
Në një kuptim më të gjerë, veprat e Höller-it dhe Parreno-s mund të interpretohen si vepra propagandistike për “Socializmin e Rrugës së Tretë”, neoliberal (ose mbase kleptokratik, më saktë) të Edi Ramës, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e palëkundur njerëzve si Tony Blair. Höller-i dhe Parrenoja i përkasin të dy gjeneratës së artistëve të Estetikës Relacionale, të cilët, sipas artistit Liam Gillick, “në lidhje me kulturën mbizotëruese janë ndryshues skeptikë të formave”, por pa marrë asnjëherë pozicionim të qartë politik. Natyrisht, “dredhia” e tyre është e vetmja gjë që i ka lejuar të mbështesin një regjim katastrofik, siç është ai i Edi Ramës.
Pra, punimet e Parreno-s dhe të Höller-it, në një kuptim shumë tradicional janë vepra të propagandës politike, të krijuara nga artistë që mbështesin regjimin e Ramës. Ato janë po aq propagandë sa vepra tjetër në fasadën e Kryeministrisë, basorelievi i babait të Edi Ramës, Kristaq Rama. Dhe, duke pasur parasysh instalacionin e strehës me drita të Parrenos, është e qartë se Rama dëshiron ta tejkalojë trashëgiminë e të atit, duke e përsëritur atë në mënyrë tragjike.
Duke mbajtur parasysh bagazhin simbolik të këtyre dy veprave, nuk është për t’u habitur që ato janë bërë objekte të sulmeve (fizike) të opozitës. Edhe pse mund të dyshohet nëse protestuesit mund të jenë të vetëdijshëm apo jo për kontekstin artistiko-historik ku veprojnë këto vepra, vetë qëllimi i tyre si vepra propagandistike do të thotë që në mënyrë të pandërgjegjshme gjithkush lexon tek to rëndësinë simbolike, rrjedhimisht edhe politike, që kanë.
Rasti i parë ishte vetëm pak muaj pas instalimit të tyre, në dhjetor të vitit 2015, kur instalacioni “Marquee Tirana” e Parrenos u dëmtua pasi protestuesit e opozitës hodhën bomba me bojë mbi të.
Për shkak të kësaj, kur opozita njoftoi protestën e parë masive përpara zgjedhjeve të 2017-ës, vepra e Parreno-s u mbështoll me një skelë mbrojtëse, duke bllokuar kështu hyrjen e kryeministrisë për gjatë gjithë kohës që opozita qëndroi në çadër– protestë që zgjati disa muaj. Në mënyrë domethënëse, gjatë asaj proteste “Kërpudha e Trefishtë Gjigante” e Höller-it u la e pambrojtur.
Për protestën e 16 shkurtit, të dyja veprat– ajo e Parreno-s dhe e Höller-it– u mbuluan me skela mbrojtëse. Është e paqartë se përse kësaj radhe Rama vendosi t’i mbronte të dyja (lind pyetja kush i bën këto analiza risku?), megjithëse zakonisht gjatë protestave kërpudha mbrohet nga rreshta të tërë policësh që rrethojnë kryeministrinë.
Megjithatë, për shkaqe që nuk janë krejtësisht të qarta për mua, në një moment gjatë protestës forcat e policisë u tërhoqën, dhe menjëherë skela e kuqe metalike u shndërrua, nga mbrojtëse e dy veprave të artit, në mjetin për t’i vandalizuar ato.
Protestuesit përdorën skelën për t’u ngjitur tek instalacioni i strehës “Marquee Tirana” dhe sulmuan dyert antiplumb të Qendrës për Hapje dhe Dialog, ndërsa skelat rreth “Kërpudhës së Trefishtë Gjigande” të Höller-it u përdorën për ta tërhequr atë.
Teksa kishte injoruar gjatë gjithë ditës protestën, rrëzimi i kërpudhës së tij të preferuar i dha një goditje nervave të Kryeministrit Rama. Në orën 16:41, Rama shkroi në Twitter:
“Kepurdha (cit) – Vepër e Carsten Holler, pjesë e një cikli të ekspozuar në disa muze, dhuruar Kryeministrisë pas një vizite në vendin tonë, që e ktheu artistin e famshëm bashkëkohor në një ambassador të Shqipërisë e shqipëtarëve. Ndjesë Carsten, kjo s’është Shqipëria këta s’janë shqiptarët.”
Vini re se si ky tweet, që ishte edhe hera e parë që Rama fliste për punën e Höller-it, thekson qartë përkatësinë politike të veprës (i ishte dhuruar Kryeministrisë), i jep atij një kontekst diplomatik (ambasador) dhe, madje, e lidh shkatërrimin e veprës me anti-nacionalizmin, duke lënë të kuptohet se, në të vërtetë, ai e konsideron “Kërpudhën e Trefishtë Gjigande” simbol kombëtar.
Megjithëse mund të bëhet një paralelizëm i dukshëm me rënien e statujës së Enver Hoxhës në vitin 1991, rrëzimi i “Kërpudhës së Trefishtë Gjigande” ndoshta mund të krahasohet më mirë me një veprim ikonoklastik të kryer nga vetë Rama: shkatërrimi i shqiponjës shqiptare dykrenare në Sheshin Shqiponja, në hyrje të Tiranës, e vendosur atje me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në vitin 2012.
Më 11 nëntor 2018, vetëm pak javë përpara festës së Flamurit, që shënon themelimin e shtetit shqiptar, Rama postoi në Twitter një foto të shqiponjës dykrenare gjatë shkuljes së saj:
“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj ‘shqiponje’ në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Allan Poe-s!”
Komenti më i pëlqyer në tweet-in e Ramës lidhej drejtpërsëdrejti me instalacionin e Parreno-s:
“Ky është vulgaritet, o psikopat…”
Gjatë gjithë mandatit të tij si Kryeministër, Edi Rama është përpjekur vazhdimisht të rikrijojë simbolikën vizuale që rrethon shtetin shqiptar: të heqë portretin e Presidentit nga zyrat publike, të ri-dizenjojë logot dhe vulat e institucioneve qeveritare. Si i tillë, ai nuk është i pari. Paraardhësi i tij Sali Berisha ndryshoi ngjyrat e targave shqiptare, nga të kuqe me të zezë, në blu dhe të bardhë (si targat e BE-së, por për fat të mirë edhe si ngjyrat e Partisë Demokratike).
Sidoqoftë, Rama ka qenë më radikal, duke për përvetësuar një gjuhë vizuale– atë të artit bashkëkohor– që në sipërfaqe duket sikur nuk ka lidhje me projektimin e pushtetit shtetëror. Me të tillë gjuhë, ai mund të ketë menduar se ka krijuar një formë propagande që është e kuptueshme për të edukuarit, për të huajtë që “marrin vesh”, por edhe e pamundur për t’u sulmuar nga kundërshtarët e tij “shpellarë”.
Fati i “Kërpudhës së Trefishtë Gjigande” tregon se kjo ka qenë një llogaritje e gabuar. Njeriu nuk ka nevojë të analizojë gjestet delikate kuratoriale të Hans Ulrich Obrist-it për të kuptuar se tjetri po sillet në mënyrë të pasinqertë. Sepse, nëse i hidhni një sy kërpudhave të ndryshme në veprën e Höller-it (Amanita muscaria, Cortinarius traganus dhe Clavariadelphus pistillaris), dy të parat janë helmuese, ndërsa ajo e fundit është thjesht e hidhur dhe e pangrënshme. Është thjesht e patretshme.