Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara bëri thirrje të mërkurën për lirimin e udhëheqëses të Myanmarit Aung San Suu Kyi dhe të tjerëve të arrestuar nga ushtria.
Këshilli shprehu shqetësim mbi gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk arriti të dënonte grushtin e shtetit të kësaj jave, raporton Retuers.
Aung Suu Kyi dhe të tjerët u arrestuan nga ushtria e Myanmarit pasi morën pushtetin përmes grushtit të shtetit.
Administrata e Presidentit të SHBA Joe Biden po shqyrton një urdhër ekzekutiv në përgjigje të grushtit të shtetit që mund të përfshijë disa sanksione, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan.
Tranzicioni i gjatë dhe i trazuar i Myanmarit drejt demokracisë u zhvendos të hënën kur komandanti i ushtrisë Min Aung Hlaing mori pushtetin. Ai pretendon se ka pasur parregullsi në zgjedhjet e nëntorit të kaluar ku partia e Suu Kyi fitoi.
15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit në OKB thanë në një deklaratë të enjten se “theksuan nevojën për të mbështetur institucionet dhe proceset demokratike, të përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë plotësisht të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe sundimin e ligjit”.
Gjuha në deklaratë ishte më e butë se ajo e hartuar fillimisht nga Britania dhe nuk përmendte asnjë grusht shteti – me sa duket për të fituar mbështetjen nga Kina dhe Rusia, të cilat tradicionalisht e kanë mbrojtur Myanmarin nga veprimet e rëndësishme të këshillit. Kina gjithashtu ka interesa të mëdha ekonomike në Myanmar, përcjell Retuers.
Një zëdhënës i misionit të OKB të Kinës tha se Pekini shpresonte që mesazhet kryesore në deklaratë “të mund të merren parasysh nga të gjitha palët dhe të çojnë në një rezultat pozitiv” në Myanmar.
Suu Kyi 75 vjeç, nuk është parë që nga arrestimi i saj. Policia ka ngritur akuza kundër saj për importimin e paligjshëm dhe përdorimin e gjashtë radiove të gjetura në shtëpinë e saj dhe ajo është në arrest deri më 15 shkurt.
Rreth 147 persona janë arrestuar që nga grushti i shtetit, duke përfshirë aktivistë, ligjvënës dhe zyrtarë nga qeveria e Suu Kyi, tha Shoqata e Ndihmës e Myanmar për të Burgosurit Politikë (AAPP).
Facebook tha të martën se kishte hequr një faqe të lidhur me rrjetin televiziv ushtarak të Myanmarit pas grushtit të shtetit.
Hetuesit e të drejtave të njeriut thanë se gjuha e urrejtjes në Facebook kishte luajtur një rol kryesor në nxitjen e dhunës në Myanmar.
Pak ditë më parë, Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë duke thënë se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit ose për të penguar tranzicionin demokratik të Myanmarit.