Këshilli i Europës i bëri thirrje shteteve anëtare të njohin “rolin thelbësor të medias së pavarur” gjatë pandemisë së koronavirusit dhe të mos e përdorin pandeminë si justifikim për të kufizuar informacionin ndaj publikut.
Në një deklaratë të publikuar të premten, Komiteti i ekspertëve për median në KiE theksoi se shtetet nuk duhet të vendosin kufizime përtej limitit të parashikuar nga neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
KiE shkruan se:
“Tani, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për gazetari të besueshme, duke u mbështetur në standardet e etikës profesionale, për ta mbajtur publikun të informuar dhe të vëzhgojnë masat e marra në përgjigje të këtij rreziku botëror.
Ne kemi nevojë për informacion të saktë, përfshirë hulumtime të thella nga gazetarët, të cilët mbulojnë fushën e shkencës, për të kundërshtuar thashethemet dhe keqinformimet që mund të çojnë në panik. Kjo mund të parandalohet duke krijuar forume bashkëbisedimi midis qeverive dhe përfaqësuesit e mediave.”
Shtetet anëtare dhe përfaqësuesit e mediave duhet të përpiqen të sigurojnë kushte të përshtatshme pune për gazetarët, përfshirë mbrojtjen mjekësore për ata që punojnë në vijën e parë.
Deklarata theksoi rëndësinë e aksesit të medias në informacion, duke pohuar se ai është parim thelbësor i demokracisë:
“Liria e shprehjes, pavarësia e medias dhe diskutimi i hapur, si dhe kontrolli i informacionit, janë parime thelbësore në themel të demokracisë evropiane, të cilat do të na lejojnë të kapërcejmë sfidat e mëdha me të cilat përballen vendet tona.”
Informacioni i saktë, respektimi i etikës profesionale dhe liria për të vëzhguar masat e marra në përgjigje të këtij rreziku botëror janë të rëndësishme gjatë këtyre kohërave” shtoi Komiteti.
Po ashtu, dialogu midis qeverive dhe mediave është thelbësor në parandalimin e thashethemeve dhe keqinformimeve, të cilat mund të çojnë në panik.
Komiteti i KiE gjithashtu refereroi në manualin e udhëzimeve për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe informacionit në kohë krize.
Këto udhëzime përfshijnë lejimin e lirisë së lëvizjes dhe aksesit në informacion për përfaqësuesit të medias në kohë krize, ofrimin e konferencave për shtyp dhe konferencave për mediat, dhe përgjegjësinë penale ose administrative për zyrtarët publik, të shpallur fajtorë për keqinformimin në lidhje me krizën të opinionit publik .
Të shtunën, Kryeministri Edi Rama shpërndau një video të policisë Algjeriane duke rrahur njerëzit në rrugë. Ai shkroi se në video ishin autoritetet spanjolle që po përpiqeshin t’i mbanin njerëzit brenda për shkak të koronavirusit. Rama kërcënoi se do të urdhërojë policinë dhe ushtrinë shqiptare të veprojnë në një mënyrë të ngjashme kur merren me njerëz që prishin shtetrrethimin e vendosur nga qeveria.
Ndërsa media u tregua e shpejtë për të paraqitur postimin e tij si “lajm i rremë”, postimi tashmë kishte shkaktuar alarm dhe panik në rrjetet sociale brenda vendit dhe komunitetit të huaj në Shqipëri.