Bashkia Tiranë duket se ka nisur procedurat për shembjen e godinës së vjetër të PD-së, përballë qendrës Toptani. Ajo ka njoftuar partitë dhe institucionet që ndodhen në godinë të lirojnë zyrat e tyre në godinë. Në letrën e dërguar partive politike shkruhet se zhvendoja kryehet për shkak të:
“Procesit të vazhdushëm të sistemimit për zyra [..] dhe nevoja për rikonstruksionin e godinës nga amortizimi, ju kërkojmë të lironi ambjentet..”.
Kryebashkiaku Veliaj, pas refuzimit të partisë ‘Fryma e Re Demokratike’ (FRD) për lirimin e zyrave, u shpreh se zyrat do t’i kalojnë Bashkisë, e cila do t’i përdori “ për njerëzit që i shërbejnë qytetit, jo për partitë”.
Por në të vërtet, të paktën sipas projektit të vjetër të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, ish-godina e PD-së do të shembet për t’i hapur rrugë ndërtimit të projektit të kullave.
Sikurse Exit.al ka shkruar më parë, qeveria ka planifikuar se e gjithë zona nga rruga para Ministrisë së Brendëshme deri tek rruga para godinës së vjetër të PD-së, pra përballë qendrës Toptani do të ndërtohet, duke krijuar kështu, së bashku me ndërtesat ekzistuese Torre Drini, Gjergji Center dhe Eurocol, një bllok të dendur ndërtesash të larta.
Projekti parashikon prishjen e ish-godinës së PD-së, madje edhe te ndërtesës së vjetër të njohur si Sarajet (edhe pse pronarët e kësaj ndërtese po i qëndrojnë ende trysnisë së Kryeministrit Rama përmes ndërtuesit).
Teatri Kombëtar u shemb më 17 maj 2020. Godina e re do të ndërtohet me para publike me prokurorim publik, me shumë gjasa nga njëri prej ndërtuesve të zakonshëm klientë të qeverisë.
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku u shpreh për News24 në shkurt 2020 se qeveria do të investojë 30 milionë euro për të, aq sa ishte kostoja e propozuar në projektin e kompansië Fusha shpk.
Në tetor 2020, kompania A&E Engineering fitoi tenderin, me vlerë rreth 500 mijë euro, për projektimin dhe studimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Qeveria kishte parashikuar të ndërtonte godinën e Teatrit Kombëtar me PPP. Por pas dështimit të përpjekjes disa vjeçare të dyshes Rama-Veliaj për ta ndërtuar atë me një skemë të dyshimtë PPP, qeveria vendosi ta ndërtojë Teatrin me financim publik.
Pavarësisht tërheqjes së qeverisë dhe Bashkisë nga formula PPP për ndërtimin e Teafrit Kombëtar dhe zhvillimin me ndërtime të larta të zonës përqark, projekti do të zbatohet njësoj.
Kryebashkiaku Veliaj ka konfirmuar, në një intervistë për Top Channel, në shkurt 2020, jo vetëm që projekti i kullave në atë zonë do të zbatohet siç ka qenë planifikuar në modelin me PPP, por ka pohuar se trualli i bashkisë do të shkëmbehet apo shitet privatit me negociata me ndërtuesit privatë.