Komisioneri i BE-së për zgjerimin Johannes Hahn deklaroi sot se plotësimi i tre kushteve: zhvillimi i zgjedhjeve të lira, lufta kundër drogës dhe nisja e procesit të Vetingut mund të hapë së shpejti bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sipas OraNews, në një takim me korrespondetët e Ballkanit në Bruksel, Zoti Hahn ka deklaruar:
“Është mirë të kërkosh hapjen e negociatave, por ne mund t’a arrijmë këtë ose mund të reagojmë nëse kriteret që kemi kërkuar vazhdimisht do të trajtohen në një mënyrë inkurajuese dhe do të prodhojnë rezultate pozitive. Së pari, ne do shohim zgjedhjet, së dyti një fillim të besueshëm të procesit të Vettingut dhe së treti luftë të efektshme në luftën kundër drogës.”
Nëse zgjedhjet e 25 qershorit kanë përmbushur apo jo standardet që kërkon BE do të jepet në raportin e OSBE/ODHIR pak muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve.
Komisioneri ka theksuar, gjithashtu, dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë e opozitës për plotësimin e kushteve.
Ndërkohë Parlamenti Evropian në raportin e miratuar për Shqipërinë, në shkurt 2017, pohonte në mënyrë të qartë se zbatimi i plotë dhe në kohë i reformave për të pesë kushtet është thelbësor që procesi i anëtarësimit në BE të ecë përpara—luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër drogës, dekriminalizimin, zbatimin e reformës në drejtësi dhe zgjedhjet e lira.
Nga deklarata e Zotit Hahn nuk kuptohet qartë nëse “lufta ndaj krimit të organizuar” nënkuptohet tek kushti i “luftës ndaj narkotrafikantëve”, dhe nëse dekriminalizmi quhet tashmë një kusht i realizuar apo në realizim e sipër duke qenë se disa prej deputetëve me të shkuar kriminale i është hequr mandati.