Rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat do të ndërtohen me formulën e partneritetit publik-privat edhe pse kostoja totale e tyre do të jetë më shumë se 250 milionë euro. Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi kontratat e ndërtimit të rreth 30 kilometrave rrugë pavarësisht kostos tejet të lartë dhe dyshimeve për skemë mafioze. Ky fakt u bë i ditur nga ish-deputeti i PD-së Agron Shehaj.
Aksi Milot-Balldren, për të cilin Exit.al ka raportuar edhe më parë, do të ketë një kosto ndërtimi prej 140 milionë eurosh që nëse merret parasysh edhe mirëmbajtja dhe interesat që qeveria do t’i paguajë kompanisë koncesionare A.N.K shpk, kostoja arrin në 213,7 milionë euro.
Koncesioni në fjalë nisi në vitin 2018, me një ofertë të pakërkuar nga kompania A.N.K shpk, me pronar Agim Kolën, i cili përfitoi bonus për tenderin që u hap më pas. Kjo kompani do të marrë përsipër të paguajë 52 milionë euro nga kapitali i saj, por sipas opozitës kompania nuk ka kapital të mjaftueshëm.
Projekti i dytë ai i aksit Orikum-Dukat parashikon ndërtimin e një rruge në zonë malore dhe kostoja e tij do të shkojë në 67 milionë euro, pavarësisht se është një aks i gjatë vetëm 17 kilometra. Për të dyja këto rrugë me kosto të mëdha, në Komisionin e Ekonomisë u argumentua se ato do të kenë standard të lartë punimesh.
Të enjten kontratat e të dyja këtyre koncesioneve do të kalojnë për miratim në Parlament.