Kompania italiane e gazit SNAM sëbashku me qeverinë shqiptare do të administrojë dhe mirëmbajë pjesën shqiptare të gazsjellësit TAP. Kjo do të kryhet përmes formimit të një kompanie të përbashkët midis kompanisë shqiptare shtetërore të gazit Albgaz sh.a dhe kompanisë italiane shtetërore SNAM.
Kompania SNAM, më parë në pronësi të ENI-t, dhe tani në pronësi të kompanisë italiane shtetërore financiare Kasa e Depozitave dhe Huave, është pronare me 20 përqind e gazsjellësit TAP.
Më 21 mars qeveria shqiptare miratoi ngritjen e grupit ndërministror të punës për fillimin e bisedimeve për ngritjen e kompanisë së përbashkët ndërmjet palës italiane, kompanisë SNAM, dhe kompanisë shtetërore Albgaz sh.a e kontrolluar nga Albpetrol dhe kohët e fundit e autorizuar si Operator i Transportit të gazit.
Një vit më parë shoqëria shqiptare Albpetrol kishte nisur bisedimet me kompaninë shtetërore greke të gazit DESFA, për të njëjtën kontratë. Ky fakt shkaktoi pakënaqësi nga pala italiane dhe pasoja negative diplomatike ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Dhe mesa duket rëndësia politike dhe besueshmëria më e lartë e SNAM bënë që qeveria shqiptare të pushonte bisedimet me palën greke.
Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur 66 përqind e kapitalit të kompanisë DESFA u nxorr për privatizim nga qeveria greke dhe një nga dy konkuruesit që ka paraqitur ofertë është edhe bashkimi i kompanive ku bënë pjesë kompania italiane SNAM.