Koronavirus pritet të ndikojë negativisht ekonominë botërore

Nga Exit News
Koronavirus pritet të ndikojë negativisht ekonominë botërore

Koronavirusi do të ulë rritjen ekonomike në botë këtë vit. Nëse epidemia përkeqësohet, atëherë vendet e Bashkimit Evropian do të shkojnë drejt recesionit. Këto janë gjetjet e raportit të Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD) të publikuar sot.

Ekspertët shprehen se nëse epidemia arrin kulmin në Kinë gjatë katërmujorit të parë të vitit 2020 dhe në vendet e tjera arrin të kontrollohet, rritja globale ekonomike do të ulet me rreth 0.5 përqind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) global pritet të ulet në 2.4 përqind në 2020-tën.

Rritja ekonomike e Kinës do të ulet nën 5 përqind këtë vit, dhe do të ngrihet në 6 përqind në vitin 2021, pas kthimit gradual në nivelet e para rënies së virusit.

Raporti këshillon qeveritë e vendeve të prekura “të sigurojnë burime të mira të shëndetit publik dhe të marrin masa për të parandaluar infektimin”.

“Qeveritë duhet të ndërmarrin politika të targetuara për sistemin e shëndetit publik, dhe të mbrojnë punonjësit e bizneseve. Ato duhet të ndërmarrin politika për rivendosjen e besueshmërisë dhe ndalimin e shkatërrimit të rrjetit të shpërndarjes së të mirave materialeve”, shkruhet në raport.

Sipas Politico.eu, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen sot do të njoftojë ngritjen e një task force për të koordinuar përgjigjen politike ndaj koronavirusit.

Task forca do të përbëhet nga komisionerët Janez Lenarčič, për menaxhimin e krizës, Stella Kyriakides për shëndetësinë, Adina Vălean për transportin, Ylva Johansson për çështjet e sigurisë dhe Paolo Gentiloni për çështjet ekonomike.

Koronavirus deri më tani ka prekur 89 mijë persona në të gjithë botën. Vendet më të prekura janë Kina, Korea e Jugut, Italia dhe Irani.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>