Korrupsioni mban larg investimet amerikane në Shqipëri

Nga Exit News
Korrupsioni mban larg investimet amerikane në Shqipëri

Investitorët amerikanë e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.

Korrupsioni në çdo hallkë të shoqërisë, mungesa e transparencës dhe konkurrenca e padrejtë janë problemet kryesore të Shqipërisë që mbajnë investitorët e huaj larg.

Kështu shkruan Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për ‘Klimën e Investimeve 2020’ në Shqipëri.

Më poshtë Exit.al rendit pikat kryesore të raportit:

– Korrupsioni i kudondodhur, pabarazia para ligjit, burokracia e tepruar dhe mungesa e transparences janë pengsat kryesore të komunitetit të biznesit.

– Grupet e biznesit kanë ngritur shqetësime rreth konkurrencës së padrejtë dhe monopoleve, duke i vlerësuar si problemet më shqetësues që dëmtojnë klimën e biznesit.

– Shumë investitorë të huaj ankohen se korrupsioni gjyqësor endemik dhe procedurat joefikase gjyqësore minojnë mbrojtjen gjyqësore në Shqipëri dhe kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

– Megjithëse qeveria ka miratuar një ligj për investimet strategjike, deri tani asnjë investitor i madh i huaj nuk ka përfituar nga ligji.

– Investitorët shprehen se institucionet përdorin ligje dhe rregullore të vështira për t’u interpretuar ose që ndryshojnë në mënyrë të shpeshtë si mjete për të mbajtur larg investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë shqiptare të lidhura me politikën.

– Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka zvogëluar mundësitë për konkurrencë dhe garë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.

– Në vitet 2019-2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin.

– Indeksi i Transparency International i ‘Perceptimit të Korrupsionit 2019’ renditi Shqipërinë në vend të 106 nga 180 vende, një rënie prej 7 vendesh nga viti 2018. Rrjedhimisht, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tani perceptohen si vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor.

– Të drejtat e pronës mbeten një tjetër sfidë në Shqipëri, pasi titujt e pronësisë janë të vështirë për t’u arritur. Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës.

– Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t’u marrë dhe joadekuat. Ka shumë çështje gjyqësore lidhur me pronat e konfiskuara gjatë regjimit komunist. Identifikimi i pronësisë është një problem i vazhdueshëm në Shqipëri që e bën të vështirë kthimin e pronave të shpronësuara dhe për rrjedhojë, të bërit biznes.

– Shqipëria ra gjithashtu me 19 vende në studimin e Bankës Botërore ‘Doing Business 2020’, duke u renditur në vendin e 82-të nga 63-të në 2019. Megjithëse ky ndryshim mund t’i atribuohet pjesërisht zbatimit të një metodologjie të re, vendi vazhdon të ketë rezultate të dobëta në fushat e dhënies së lejeve të ndërtimit, pagimin e taksave, zbatimin e kontratave, regjistrimin e pronës, marrjen e energjisë elektrike dhe mbrojtja e investitorëve të pakicave.

– Nuk ka një institucion që të ofrojë të gjitha shërbimet dhe informacionet për biznesin në një vend të vetëm.

– Gjatë dhjetë viteve të fundit, ka pasur tre mosmarrëveshje investimesh midis qeverisë shqiptare dhe kompanive amerikane, dy prej të cilave rezultuan në arbitrazh ndërkombëtar.

– Investitorët amerikanë të përfshirë në mosmarrëveshje me qeverinë raportuan mungesë dialogu me zyrtarët e qeverisë, të cilët shpesh hezituan për të zgjidhur mosmarrëveshjet përpara se të përshkallëzoheshin në nivelin e arbitrazhit ndërkombëtar, ose përpara se bashkësia ndërkombëtare të ushtronte presion mbi qeverinë për të zgjidhur çështjen.

– SHBA-të nuk janë mes vendeve që kanë më shumë investime direkte në Shqipëri. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vendet me më shumë investime direkte janë Zvicra, Holanda, Kanadaja, Turqia, Austria dhe Greqia.

– Qeveria shqiptare plotëson vetëm standardet minimale për transparencën fiskale dhe detyrimet e borxhit, si dhe për proceset e vendimmarrjes politike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>