Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kroacisë u shprehën se nuk mund të jenë garantues për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase garancia nuk kërkohet as nga shteti amë.
“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka thënë se nuk mund të ofrojë garanci për ish-homologun e tij, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.